Vendimi i ri i Qeverisë dërgohet në Gjykatën Kushtetuese? Tregon Avokati i Popullit

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja rigoroze të lëvizjes nga ministria e Shëndetësisë lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Edhe vendimi në fjalë i qeverisë, nga ekspertë ligjorë është cilësuar si jo-kushtetues, teksa është kërkuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, që të njëjtin ta dërgojë në Kushtetuese për vlerësim,.

E në një përgjigje për lajmi.net, nga Avokati i Popullit kanë thënë se nga qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë vendim formal për vendimet e paralajmëruara.

“Avokati i Popullit ka pranuar pyetje nga mediat, si dhe një kërkesë individuale, lidhur me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Me këtë rast, Avokati i Popullit njofton se, me gjithë faktin se për vendimin e Qeverisë kanë raportuar mediat, akoma nuk ka ndonjë vendim formal nga ana Qeverisë lidhur me masat e paralajmëruara”, kanë thënë nga Avokati i Popullit.

Megjithatë, nga ky institucion kanë thënë se janë duke e përcjellurë situatën, nga ku pas nxjerrjes formale të vendimit, mund të ndërmirren edhe veprimet e radhës.

“Sidoqoftë, Avokati i Popullit është duke e përcjellë situatën dhe pret që Qeveria e Kosovës edhe formalisht ta nxjerrë dhe ta shpallë vendimin dhe Avokati i Popullit do të njoftojë opinionin publik lidhur me qëndrimet e tij”, kanë thënë në një përgjigje zyrtare për lajmi.net nga Avokati i Popullit.

Kujtojmë se që nga sot kanë hyrë në fuqi masat e reja të lëvizjes së qytetarëve, ndërsa të njëjtat janë përshtatur me numrin e parafundit të letërnjoftimeve.

Në bazë të orarit të publikuar më parë, janë aktualisht tetë grupe të qytetarëve të cilët duhet të lëvizin në orare të ndryshme, duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 10:30 të mbrëmjes.