Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se në listën zgjedhore të kësaj partie për deputet, do të jetë edhe vëllai i Jakup Krasniqit, Abdyli.

“Arrestimi i paradokohshëm i kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate, z. Jakup Krasniqi ishte një goditje e madhe jo vetëm për partinë tonë, por për tërë kombin shqiptar. Ai i mungon familjes, po aq sa edhe skenës politike dhe publicistike të Kosovës. Megjithatë, vizioni i tij politik, i mishëruar në NISMËN Socialdemokrate, jeton thellësisht në zemrat tona”, ka shkruar Limaj, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, sot kur jemi në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, strukturat e Nismës janë mobilizuar si asnjëherë më parë që ky vizion të dalë sa më i fortë.

“Më lejoni t’ju njoftoj se në këto zgjedhje, në listën e kandidatëve për deputet të NISMËS Socialdemokrate është Abdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit dhe bashkëveprimtar i palodhur në rrugëtimin e deritashëm. Angazhimi i tij në vijë të parë të luftës sonë politike është një mesazh i qartë se do t’i mobilizojmë të gjitha energjitë tona atdhetare dhe profesionale me qëllim që fryma atdhetare që ka mbjellë Jakup Krasniqi të dalë sa më e fuqishme në këto zgjedhje! Mbështetja që sot i jepet NISMËS Socialdemokrate është mbështetje për frymën e liderit të saj që padrejtësisht mbahet në Hagë!”, ka shkruar Limaj. /Ballkani.info/