Gent Cakaj

Vazhdojnë thirrjet në Shqipëri për presidentin që të mos e dekretoj ministrin nga Kosova

Deputeti i Partisë Demokratike, i cili ka qenë edhe në postin e rëndësishëm të ministrit të Jashtëm, Tritan Shehu, ditën e sotme i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë disa nga ministrat e rinj të kabinetit “Rama 3” dhe veçanërisht, atë të Jashtmin Gent Cakaj. Nëpërmjet një shënimi në faqen e tij Facebook, Shehu ndalet kryesisht te ministri i ri i Jashtëm i propozuar nga Edi Ramës, Gent Cakaj dhe hedh dyshime të forta për këtë lëvizje të Ramës.

Sipas, Shehut, emërimi në një post kaq të rëndësishëm i një njeriu pa përvojë është aventurizëm i rrezikshëm për vendin. Gjithashtu ai shton se Edi Rama duhet të bëjë sqarime për arsyet e vërteta të këtij emërimi dhe nga kush i ka ardhur propozimi.

“Mos dekretimi nga Presidenti Meta i ministrave te rinj, duke filluar nga Ministri i Jashtëm, do të ishte i bazuar.

Kandidaturat e reja për në Qeveri përbejnë një “shaka” kakofonike, që nuk premton përmirësim të krizës ku është futur vendi, përkundrazi…

Emërimi kryeministror, se pari i Ministrit te Jashtëm, detyrë që lidhet me çështje të sigurisë kombëtare, integrimit, stabilitetit të Rajonit, ruajtjes së tërësisë territoriale të kombit, marrëdhënieve me NATO-n etj, përben së paku aventurizëm politik i maskuar ky me një “nacionalizem” grotesk.

Kryeministri duhet të qartësojë veçanërisht qëllimin e atij emërimi (që po shqetëson edhe miqtë tanë), origjinën e propozimit te asaj kandidature, mundësinë e një korelacioni me disa procese të rrezikshme, etj.

E kundërta, ulja e nivelit te argumenteve deri tek sasia e librave te lexuara, qe me kujton Distinktivin “Miku i Vogel i Librit”, flet për mungese serioziteti, qe veçse shton paqartësitë.

N.q.s ne shqiptarët nuk do të dimë të prezantohemi dhe të mbrojmë me dinjitet e besueshmëri interesat tona, apo akoma më keq n.q.s ne do të pranojmë që disa “argatë a pupace” në “shqip” dhe në emrin tonë t’i servirin partnereve obsionet e kundërta e të “gatuara” gjetke, e ardhmja nuk na premton asgjë te mirë”.