Kanë kaluar 20 vjet që nga rënia e dëshmorëve të Prishtinës, ndërsa gjendja e memorialit të varrezave që ndodhet në Velani lë për të dëshiruar.

Aty, disa metra më poshtë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, prehen eshtrat e dëshmorëve të qytetit, të cilave më pas iu bashkuan edhe varrezat e veteranëve e të disa qytetarëve tjerë.

E gjendja e këtyre varrezave nuk është e mirë, mbeturina të ndryshme ndodhen rreth tyre, e madje as nuk duken njësoj.

Kjo ka bërë që qytetarët, por edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të shprehin pakënaqësitë e tyre. E pavarësisht projekteve të përfolura për rregullimin e kësaj zone, ende nuk është bërë asgjë.I pakënaqur me gjendjen e varrezave në këtë hapësirë është edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë për KosovaPress se problemi kryesor i atyre varrezave nuk qëndron tek gjendja e tyre në të cilën ndodhen, porse tek mungesa e një statusi.

Ahmeti thotë se ekziston një plan i Ministrisë së Mjedisit, por i cili nuk është zbatuar. Për këtë, ai bën të ditur se ka biseduar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Edhe drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memorialë, Bislim Zogaj, jep një propozim konkret për të zgjidhur këtë çështje.

Për këtë, Zogaj ka kërkuar nga komisioni Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor që të sigurojë një hapësirë për të vënë në jetë projektin e ideuar.Kurse kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka folur për projektin e ideuar kaherë të kësaj shoqate në bashkëpunim me shtabin e përgjithshëm të TMK-së, se si do të duhej të dukej sipas tyre varri i një dëshmori.

Gani Krasniqi, baba i dëshmorit Labinot Krasniqi, ka ardhur tek varrezat e dëshmorëve në Velani, ku thotë se varrezat aty nuk janë aspak në gjendje të mirë.

Ndryshe, ditë më parë, komuna e Prishtinës ka shënuar edhe Ditën e Dëshmorëve të qytetit, ditë kjo që i gjeti në gjendje jo të mirë këto varreza, ani pse u shënua 20 vjetori i rënies së tyre.