Trajneri i Barcelonës

Valverde e pranon se ndeshja ndaj Lyonit do të jetë e vështirë

Ernesto Valverde e sheh kundërshtarin e Barcelonës në fazën me eliminim direkt në Champions League, Lyonin, si një skuadër të rrezikshme ndërsa ka treguar se nuk ka shumë njohuri për klubin francez.

Barcelona shmangu Liverpoolin në shortin e djeshëm por do të ballafaqohet me një tjetër skuadër të papërshtatshme që e përmbylli grupin F pa humbje, grup në të cilin bënte pjesë edhe Manchester City.

Lyoni e mposhti Ciyn në “Etihad”, ndërsa në shtëpi arriti një barazim spektakolar me rezultat 2-2.

Katalanasit ishin lider në grupin B, me skuadra të vështira si Tottenhami dhe Interi, ndërsa edhe “Blaugranat” dolën të pamposhtur nga ndeshjet e grupit.

“E vërteta është se unë kam parë pak gjëra nga Lyoni. E kam një ide të përgjithshme për ta sepse janë disa lojtarë që i njohim, por duhet të përgatitemi mirë. Kjo është një skuadër që e sfidoi Cityn për kryesimin e grupit deri në ndeshjen e fundit, derisa i mposhtën në fushën e tyre. Ky është një tregues i qartë për vështirësinë e këtij takimi, jo vetëm për neve por për secilin kundërshtarë. Kam përshtypjen se Lyoni është skuadër e rrezikshme në hapësira sepse vrapojnë shpejtë. Nuk mund të lejojmë të na kap vetëkënaqësia, kemi edhe dy muaj për të qenë në formë dhe të njohim kundërshtarin edhe më mirë”, u shpreh Valverde.

Barcelona synon që këtij edicioni të Champions Leagues t’i shkojë deri në fund, gjersa në 3 vitet e fundit është eliminuar në çerekfinale.

Ndeshja e parë ndaj Lyonit zhvillohet me 19 shkurt në Francë, ndërsa ajo e kthimit në Barcelonë pas 3 javësh.