Vaksina J&J mbërrin në Evropë më 19 prill

Kompania Johnson & Johnson njoftoi të hënën se do të fillojë me shpërndarjen e vaksinës së saj në Evropë më 19 prill, duke i dhënë Kontinentit të Vjetër një shtysë në luftën kundër pandemisë COVID-19, bëjnë të ditur mediat e huaja.

Vaksina e gjigantit farmaceutik u miratua nga rregullatorët e Bashkimit Evropian në mes të marsit, pas miratimit të vaksinave të tjera si Pfizer-BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë firmosur marrëveshje me kompaninë për 200 milionë doza, me mundësi edhe për 200 milionë të tjera.

Ndryshe nga vaksinat tjera anti-COVID që kërkojnë dy doza për imunizim, ajo e J&J është me vetëm një dozë dhe është shumë më e lehtë për t’u ruajtur.

Agjencia Evropiane e Barnave dha dritën jeshile për përdorim, pasi tha se provat klinike që përfshinin vullnetarë në Shtetet e Bashkuara, Afrikën e Jugut dhe vendet e Amerikës së Jugut zbuluan se efikasiteti i vaksinës J&J ishte 67 për qind në parandalimin e prekjes së njerëzve me COVID-19.