Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës njoftoi të mërkurën se ushtria i ka në posedim ka dokumentet e planit rus të luftës.
“Pas operacioneve të suksesshme të ushtrisë ukrainase, ushtarët rusë u kapën dhe nga paniku dhe lanë pas disa dokumente sekrete”, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Potencohet se “plani i luftës me Ukrainën” është miratuar më 18 janar 2022, raporton Agjencia e Lajmeve Anadollu.
“Okupimi i të gjithë Ukrainës do të përfundonte brenda 15 ditëve, nga 20 shkurti deri më 6 mars”, thuhet në dokument.
Konflikti i Rusisë me Ukrainën, i cili filloi më 24 shkurt, ka ngritur në këmbë komunitetin ndërkombëtar. Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Moskës.
Shumë vende po furnizojnë Ukrainën me armë, duke mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë dhe duke ndaluar mediat shtetërore ruse.
Rundi i dytë i bisedimeve të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar për sot.







