Ukraina lufton për të gjithë ne, Evropa sot po ashtu duhet ta luftojë Putinin

Nga: Simon Tisdall / The Guardian

Evropa duhet të luftojë. Ndërgjegjësimi ka qenë i ngadalshëm. Por, pothuajse një vit pasi Rusia pushtoi Ukrainën, shumica e qeverive perëndimore më në fund po kuptojnë se lufta për mbijetesë e Kievit është gjithashtu lufta e tyre. Për Ukrainën është luftë deri në vdekje, por edhe për demokracinë, për të drejtat dhe vlerat evropiane. Është luftë kundër të këqijave historike të fashizmit dhe imperializmit që janë mishëruar nga Vladimir Putini, nga diktatori i epokës tonë.

Evropa duhet të luftojë. Vërtetë nuk ka zgjidhje. Teksa Rusia ende rrezikon, duke kërcënuar me ofensivë të re të madhe, pika e kthesës afrohet kur tragjedia kthehet në shkatërrim – ose në triumf. Ky moment, kur lufta është bërë përditshmëri dhe e lodhshme, paraqet momentin e rrezikut maksimal. Nga Suedia, Spanja, Holanda, Franca, Polonia dhe republikat baltike, fluksi i armëve po shndërrohet në rrëke të urgjencës.

BE-ja gjithashtu po e ashpërson qëndrimin e vet. Presidenti i Këshillit të Ministrave, Charles Michel, i kërkoi Evropës të jetë “shumë ambicioze” për ta ndihmuar Kievin që t’i rezistojë sulmit të pashmangshëm. “Për shkak të situatës ushtarake, javët në vijim mund të jenë vendimtare. Ekziston rreziku i një sulmi masiv”, paralajmëroi ai. Nga një figurë e lartë e BE-së u pranua se sanksionet ekonomike, izolimi diplomatik dhe bisedimet paqësore që nuk ekzistojnë, nuk mund t’ia japin fundin kësaj lufte.

Me frikën për një konflikt të përshkallëzuar, madje edhe bërthamor – më së shpeshti i shprehur nga qeveria gjermane – çdo ditë bëhet lojë përmes tmerreve të masakrës së pamëshirshme të Putinit. Përshkallëzimi ushtarak është bërë i pashmangshëm, siç tregohet nga domosdoshmëria e pranverës së kaluar për kalimin nga ofrimi i armëve të lehta në sisteme të avancuara raketore, në artileri moderne, automjete të blinduara luftarake – dhe tani, tanket kryesore të luftës.

Sa herë që bombardohet një kopsht fëmijësh, një shkollë apo spital; sa herë zbulohen krimet mizore të luftës, përdhunimet dhe aktet e tmerrshme të torturës; sa herë që një familje qan mbi varrin e një njeriu të dashur, të vrarë në një luftë të zhvilluar në emër të të gjithëve, përforcohet detyrimi i Evropës për t’i rezistuar brutalitetit të tillë.

Në zemrat e veta, evropianët e dinë mirë se humbja do të ishte katastrofike. Sondazhet tregojnë se opinioni publik është shumë armiqësor ndaj Rusisë. Teksa shumë njerëz mbështesin një zgjidhje të negociuar, e kuptojnë se për momentin ajo është e paarritshme. Ndërkohë, liderët hezitues dhe pa imagjinatë, si kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, po zmbrapsen nga vala e neverisë.

Evropa, për t’ia dalë mbanë, duhet të luftojë me gjithçka që ka, madje edhe duke rrezikuar që forcat e armatosura kombëtare në fund të fundit të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Grindja e javës së kaluar për dërgimin në Kiev të tankeve gjermane të teknologjisë së lartë, Leopard 2, thjesht përsërit debatet e mëparshme të kota për nivelin e furnizimeve me armë. Ukrainasit luftojnë për të gjithë ne, ndaj pse t’ua lidhim duart?

Politikanët e Evropës Lindore dhe Qendrore kanë vlerësim më të qartë për kërcënimin fizik rus, që është i rrënjosur në histori. Ata duan që NATO-ja të dërgojë edhe aeroplanët luftarakë. Sa më ndryshe do të ishin gjërat sot, thonë ata, nëse aleanca perëndimore do të ishte më pak druajtur për t’i dërguar pranverën e kaluar armët e tilla.

Është një pyetje që Joe Biden, shefi de facto i NATO-s, duhet t’ia shtrojë vetes, teksa sërish ngurron, këtë herë për kërkesën e Kievit për raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të godasin bazat në Krimenë e pushtuar dhe në vetë Rusinë. Në aspektin emocional, Biden e kupton këtë. Pasi në marsin e kaluar vizitoi Varshavën, ai tha: “Për Zotin, ky njeri [Putini] nuk mund të qëndrojë në pushtet”. Megjithatë, në aspektin politik instinkti i tij është të luajë i sigurt – edhe kur siguria është iluzion.

Është e kotë të fajësosh ShBA-në, e cila ofron pjesën më të madhe të armëve dhe të ndihmës – përfshirë 2.5 miliardë dollarët e dhënë vetëm gjatë javës së kaluar. Evropa duhet të luftojë betejat e veta dhe të mos fshihet, siç përpiqet të bëjë Scholz, pas pantallonave të Amerikës. Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka braktisur linjën telefonike të paqes me Moskën dhe po ofron furnizime me forca të rënda të blinduara. Macron gjithashtu e kupton se Evropa duhet të luftojë.

Duke ofruar një skuadron të tankeve Challenger, gjatë javës e kaluar, Britania e Madhe ia dha Evropës shtytjen e rëndësishme. “Do të kushtojë shumë më shumë në jetë njerëzore dhe shumë më shumë në para nëse ne lejojmë që kjo të bëhet luftë e zgjatur dhe rraskapitëse”, tha sekretari i Jashtëm, James Cleverly. “Duhet të përpiqemi ta çojmë shpejt në një përfundim, e përfundimi duhet të jetë fitorja e Ukrainës. Dhe, kjo pra na bën me dije se ne duhet ta intensifikojmë mbështetjen tonë”.

Besimi i gabuar i Putinit se tani ai është në një luftë drejt përfundimit, ushqen më shumë rritjen e ndjenjës për emergjencë. Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, tha se Kievi duhet t’i ketë të gjitha tanket që i nevojiten. Dhe, është koha për t’i “mbyllur qiejt mbi Ukrainë” për të parandaluar më shumë vdekje civilësh.

Apeli i Rasmussenit rikujtoi debatet e verës së kaluar nëse NATO-ja duhet të krijojë qiellin e sigurt ose një zonë ndalim-fluturimi mbi gjithë ose në një pjesë të Ukrainës – sugjerime këto që u hodhën poshtë si shumë të rrezikshme. Që atëherë, mijëra ukrainas e kanë paguar me gjak atë ngurrim të turpshëm, derisa infrastruktura jetike dhe miliona shtëpi kanë pësuar dëme të pallogaritshme.

Nëse Evropa do që ta fitojë luftën në të cilën është, ajo duhet t’i rishikojë opsionet e tilla ushtarake dhe të lirohet nga masat e kujdesshme dhe nga ngatërresat që kanë ndërlikuar qasjen e deritashme. Gjenerali në pension, Wesley Clark, ish-komandant suprem i aleatëve në NATO, paralajmëroi se kriza me shpejtësi po afrohet. “Duhet t’ia japim armët Ukrainës, për ta dëbuar Rusinë. Rusia nuk po heq dorë nga ajo çfarë po bën. Putini po mobilizon më shumë forca. Po e planifikon një tjetër ofensivë”, tha Clark. Armatimi dhe ndihma shtesë e premtuar është ende e pamjaftueshme, tha ai. “Duhet të bëhemi seriozë”.

Volodymyr Zelenskiy, presidenti i Ukrainës, për veshët e shurdhët reagoi javën e kaluar në Zvicër, me pasion dhe me stil. Aleatët duhet të lëvizin më shpejt dhe më me vendosmëri, tha ai, sepse “tragjeditë po tejkalojnë jetën [dhe] tirania po tejkalon demokracinë”.

Zelenskiy ka të drejtë. NATO-ja hezituese ishte që nga fillimi shumë e ngadaltë dhe shumë e kujdesshme. Për të kapërcyer tiraninë, Evropa duhet të luftojë – dhe të luftojë për të fituar. Nga kjo varet e ardhmja jonë e përbashkët.

Përkthimi: Telegrafi.com