Ukraina dhe Rusia të hënën rinisin bisedimet

Rusët dhe ukrainasit rinisin bisedimet nesër me një takim online. Agjencia ruse e lajmeve Tass shkruan duke cituar Ukrainiskaya Pravda e cila i referohet burimeve të nivelit të lartë.

“Një takim online ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase është planifikuar për më 21 mars”, thuhet në raport.

Dy palët kanë zhvilluar disa tryeza bisedimesh, por deri më sot nuk është arritur asnjë rezultat konkret.

Kujtojmë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky  tha të dielën se është gati që të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse ndonjë përpjekje për negociata dështon, kjo mund të nënkuptojë se lufta midis dy vendeve do të çojë në “një Luftë të Tretë Botërore”.

“Jam gati për negociata me të. Isha gati për dy vitet e fundit. Dhe mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte,” tha Zelensky në një intervistë për CNN të dielën në mëngjes, transmeton Demokracia.com.

“Nëse ka vetëm 1 për qind mundësi që ne ta ndalojmë këtë luftë, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë shans…Unë mund t’ju them për rezultatin e këtyre negociatave, në çdo rast, ne po humbasim njerëz çdo ditë, njerëz të pafajshëm në terren.”