Trumpi edhe njëherë e kundërshton Faucin

Presidenti i SHBA-së Donald Trump sërish e ka kundërshtuar publikisht dr Anthony Faucin, duke thënë se eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA e ka “gabim” kur thotë se rritja e rasteve me koronavirus është për shkak se ky shtet nuk u mbyll mjaftueshëm.

Presidenti u vërsul ashpër të shtunën në Twitter, duke iu përgjigjur një videoje të dëshmisë së Faucit para Kongresit, ku ekspertët thanë se rritja e numrit të rasteve nuk është për shkak të rritjes së testimeve, shkruan The Guardian.

“Gabim!” tha Trump. “Kemi më shumë raste sepse kemi testuar shumë më shumë se cili do shtet, 60,000,000. Nëse do të testonim më pak, do të kishte më pak raste. Si ja bërën Italia, Franca dhe Spanja? Tani Evropa fatkeqësisht është ndezur sërish. Shumica e guvernatorëve tanë punuan shumë dhe me mend. Do të kthehemi TË FUQISHËM!” shkroi ai.

Fauci, anëtar kyç i grupit punues kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, e ka bërë këtë deklarim para komitetit special të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u hetua menaxhimi i pandemisë nga ana e administratës së Trumpit, transmeton KOHA.

“Kur janë mbyllur, shtetet evropiane janë mbyllur 95%, dhe kanë zvogëluar rastet në dhjetëra ose vetëm qindra raste në ditë”, tha ai para panelit, “ndërsa SHBA-ja u mbyll vetëm deri në 50% dhe kurrë nuk arriti zbritjen maksimale të numrit të rasteve”.

Ideja se numri i rasteve është i madh vetëm pse është rritur edhe testimi është demantuar vazhdimisht nga vetë zyrtarët kryesorë shëndetësorë të Trumpit, sepse përqindja e testeve që po kthehen pozitivë po rritet vazhdimisht e më shumë përgjatë tërë shtetit.

“Shkalla e lartë e testeve pozitive tregon se qeveria po teston vetëm pacientë shumë të sëmurë të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore, që do të thotë se qeveria nuk po teston mjaftueshëm”, deklaroi Qendra për Koronavirus e Universitetit Johns Hopkins, burimi kryesor për informatat e përditësuara mbi pandeminë.

Trumpi disa herë është përpjekur ta fajësojë Faucin për “gabimet” me koronavirusin.