Trump dhe Putin do të takohen në samitin e G20-s

Presidenti rus Vladimir Putin mund të zhvillojë një takim “të gjatë” me homologun e tij amerikan, Donald Trump, gjatë samitit të G20-s më vonë gjatë këtij muaji, sipas deklaratës së një këshilltari në Kremlin për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”.

Një takim “i gjatë dhe i rëndësishëm” mund të ndodhë “në kuadër të samitit të G20-s”, që do të mbahet më 30 nëntor në Argjentinë, citohet të ketë thënë këshilltari Yuri Ushakov. Ai ka shtuar se temat e diskutimit janë duke u vendosur edhe nga Uashingtoni.

Ushakov ka thënë se një tjetër takim është planifikuar në Paris, më 11 nëntor, ku të dy udhëheqësit do të marrin pjesë në ceremoninë që shënon 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore. Por, ai ka theksuar se takimi i Parisit do të jetë “i shkurtër”.

Putin dhe Trump janë takuar për herë të fundit në Helsinki këtë verë, pas të cilit shefi i Shtëpisë së Bardhë u kritikua në Amerikë se dështoi të adresonte publikisht çështje sensitive me udhëheqësin rus.

Marrëdhëniet Moskë-Uashington janë tejet të tensionuara për shkak të akuzave për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Një tjetër mosmarrëveshje është edhe për shkak të mbështetjes ruse ndaj regjimit të Bashar al-Assadit në luftën civile siriane, sikurse edhe konflikti në Ukrainë.