Ekatarina Trendafilova

Trendafilova këtë muaj në Kosovë, dikush e mirëpret e dikush jo

Një mysafir më i rrallë, por i një peshe goxha të madhe do të aterojë në fund të muajit në Prishtinë.

Hiç më pak se udhëheqësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekatarina Trendafilova do ta vizitojë Kosovën.

Ajo pritet ta mbajë një takim me organizatat e shoqërisë civile, ku këto të fundit do t’i informojë për punën e Dhomave të Specializuara, duke u dhënë hapësirë edhe pyetjeve të tyre.

Derisa në agjendë parashihet edhe një konferencë për media.

Pjesëmarrjen në takim tashmë e ka konfirmuar Instituti i Kosovës për Drejtësi, teksa vizitën e kryetares së Speciales po e konsiderojnë në shërbim të transparencës.

“Përveç disa kërkesa teknike që do t’i bëjmë, si psh të këshillohen më shpesh dëshmitarët që flasin shqip të mos nguten në përgjigje, sepse gjatë monitorimit po kemi problem, do të jenë edhe kërkesat që mund ti quajmë profesionale dhe ligjore, që seancat sa ma shumë të jenë të hapura, të ketë sa më shumë seanca të mbyllura. Vizitat e saj i kontribuojnë, sidomos transparencës së Gjykatës Speciale dhe janë të mirëseardhura”, ka thënë Astrit Kolaj, IKD.

Por ata që e kanë kundërshtuar vizitën e saj në Kosovë edhe më herët, po e mbajnë sërish të njëjtin qëndrim.

Në Partinë Socialdemokrate konfirmojnë se Trëndafilovën do ta presin me protestë.

“Duhet me fitu besim përmes shembullit të drejtësisë e jo përmes propagandës mediale. Trëndafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë, sepse vizita e saj këtu është sulm për shtetin e Kosovës. Kemi me pa çfarë forme protestuese kemi me pas, patjetër që kemi me pas aksione, qysh kanë me u doktë e në çfarë forme kanë me u realizu kemi me marrë vendim në vazhdim”, ka theksuar
Zgjim Hyseni PSD.

Përndryshe vitin e kaluar Trendafilova e kishte anuluar një takim me shoqërinë civile pas paralajmërimeve për protestë nga PSD-ja, e të cilës i ishte bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në të njëjtën vizitë, Trendafilova kishte takuar edhe ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, teksa ishte përfolur një takim me kryeministrin, por i cili nuk është konfirmuar asnjëherë nga Qeveria.