Së paku tre persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur gjatë një fundjave me shumë zjarre në Australi.

Të dielën, në ditën e tretë të gjendjes emergjente, më shumë se 100 zjarre ishin ende aktive në rajonet New South Wales dhe Queensland.

Kryeministri Scott Morrison tha se mund ta kërkojë ndihmën e ushtrisë për t’i përkrahur 1300 zjarrfikësit që janë angazhuar në luftën kundër zjarreve në këto dy rajone.

Qindra civilë gjithashtu janë paraqitur si vullnetarë për të ofruar ndihmë në zonat e prekura.

“Lutjet e mia sot janë për ata që e kanë humbur jetën dhe për familjet e tyre”, tha kryeministri Morrison.

Zyrtarët paralajmëruan se kushtet ekstreme të motit mund të sjellin më shumë zjarre gjatë javës së ardhshme, duke mos e përjashtuar as qytetin e madh, Sydney.

Në Queensland, mijëra njerëz e kaluan natën në qendrat e strehimit në kohën kur zyrtarët po mundoheshin të bënin vlerësime nëse kthimi i tyre në shtëpi është i sigurt apo jo.

Zjarrfikësit kanë konfirmuar se më shumë se 150 shtëpi janë shkatërruar nga zjarri. Meteorologët kanë parashikuar mot të nxehtë dhe të thatë për javën e ardhshme dhe pritet që gjendja emergjente e zjarreve të vazhdojë, shkruan “BBC”