Totaj: Haskuka çkado që e ka prekë me dorë e ka bë keq

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e PDK’së, Shaqir Totaj, ka akuzuar për keq-meanxhim dhe keq-qeverisje kryetarin aktual të kësaj komune, Mytaher Haskukaj.

Totaj, në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7, ka konsideruar se përgjatë mandatit të Haskukajt, ka pasur degradim financiar e kulturor. Duke folur për korrupsionin, nënkryetari i PDK’së ia ka përmendur dhënien e tenderit kompanisë me 1000 euro kapital, të sapo hyrë në treg.

“Zgjedhjet nacionale kanë qenë një eufori. Për zgjedhje lokale në Prizren, ne do të votojmë ndryshimin, ndryshimin ata e shohin në degën e PDK’së. Kryetari Haskuka nuk e ka sjellë një ndryshim që e ka premtu me aq shumë pompozitet. Haskuka pak ose hiç gjana mundesh me i gjetë që i ka ba keq”, ka deklaruar ai.

“Çka ka prekë me dorë ka ba keq. Çdo tentim të implementimit të çkado qoftë ajo ka bë keq. Kemi pasur për 3 vite afro 20 milionë deficit buxhetor, degradim të jetës kulturore, kemi pasur probleme serioze me korrupsion. Të gjitha këto Prizreni nuk i ka merituar në asnjë mënyrë”, ka thënë tutje Totaj.