Tokën që e bleu Haradinaj për t’ua kthyer banorëve të Gllogjanit e kishte uzurpuar Serbia

Është riaktualizuar blerja e 200 hektarëve tokë nga ish kryeministri Ramush Haradinaj në vendlindjen e tij, në Gllogjan.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsion në vitin 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim gjatë vitit 2009, në vlerë 75 mijë euro.

Këtë tokë të blerë me privatizim, kreu i AAK-së e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.

Për të njëjtën tokë, Haradinaj ka folur në vitin 2016. Ai ka deklaruar se kjo tokë ka qenë e familjes së tij, por ishte marrë nga shteti serb.
Haradinaj kishte thënë se toka riblerë në procesin e privatizimit dhe është pronë e banorëve të Gllogjanit.

Sqarimi i Ramush Haradinajt:

Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.
Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrë, mund të jetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.
Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.
Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës.