Thaçi uron shqiptarët e Malit të Zi për ligjin e përdorimit të simboleve kombëtare

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka uruar Malin e Zi dhe bashkëkombësit tanë shqiptarë që jetojnë atje për miratimin e Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare.

Në çdo shoqëri demokratike, Thaçi ka thënë se është shumë e rëndësishme që asnjë individ apo grup të mos mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar prej saj.

“Miratimi i Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare nga Kuvendi i Malit të Zi është lajm i mirë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje. Ky vendim e forcon edhe më shumë multietnicitetin dhe ndjesinë e përkatësisë së çdo qytetari në Mal të Zi. Në çdo shoqëri demokratike është shumë e rëndësishme që asnjë individ apo grup të mos mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar prej saj. Si President i Republikës së Kosovës e uroj Malin e Zi dhe gjithë bashkëkombësit shqiptarë në këtë vend fqinj, të cilët me shekuj të tërë e ruajtën identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar presidenti Thaçi.