Thaçi kërkon rritjen e bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga Zëvendëssekretari i Mbrojtjes, David Norquist, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se Thaçi u shpreh i kënaqur me mbështetjen e SHBA-së për themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe kërkoi që të rritet bashkëpunimi edhe më shumë.

“Kosova e ka ushtrinë e vet, profesionale dhe me standarde të NATO-s, që është e gatshme të përfshihet në misionet humanitare e paqeruajtëse në botë, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Thaçi.

Në anën tjetër, zëvendëssekretari i Mbrojtjes, David Norquist, ka theksuar se është vitale për sigurinë në Evropën Juglindore që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s.

Gjithashtu bëhet e ditur se Presidenti e ka falënderuar zëvendëssekretarin e Mbrojtjes, David Norquist, për gjithë mbështetjen e deritashme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në komunikatë nuk ka ndonjë reagim rreth pretendimeve të kryeministrit Albin Kurti se Thaçi ka shkelur Kushtetutën me anë të një marrëveshje me NATO-n.

Kurti sot ka publikuar një marrëveshje të vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe NATO-s, me të cilën pretendon se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese që në emër të Kosovës e barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.