Thaçi ftesë publike LDK-së dhe Vetëvendosjes që të bashkohen në procesin e dialogut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur pas takimit të sotëm më kryeministrin Haradinaj, kreun e Kuvendit, Kadri Veselin, dhe dy përfaqësuesit e grupit të unitetit, Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn.

Ai ka bërë edhe një herë thirrje për LDK-në dhe Vetëvendosjen që të bashkohen në dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, vetëm të bashkuar do të ketë rezultate më të mëdha.

“Vlerësoj iniciativën që të takohemi sikur sot, për një angazhim shtesë të institucioneve, të një koordinimi edhe më të mirë të punëve tona. Duke qenë të bashkuar, do të kemi rezultate më të mëdha, për arritje të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”, ka thënë Hashim Thaçi në konferencë për media.

“Është edhe një thirrje për hezituesit, që të bashkohen në këtë proces”, ka qenë porosia e Thaçit për opozitarët e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Thaçi thotë se letra e Donald Trump ka ndryshuar gjërat rreth dialogut.

“Procesi është i udhëhequr nga BE-ja, por është ndryshe pas letrës së presidentit Trump, që ka kërkuar të marrim përgjegjësi edhe ne si Kosovës, prandaj aty ku do të jetë këshilla e SHBA-së, do të jetë edhe Kosova. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar në qëllimin final, ekipi negociator do ta kryej këtë obligim. Unë si president do të mbështesë fuqishëm ekipin negociator”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.

Sapo ka përfunduar fjalën, Thaçi ka thënë se duhet të largohet menjëherë pasi ka një takim.

“Kaloni mirë ju, se po shkoj në takim”, ka thënë Thaçi në ecje e sipër.