Thaçi: Ejup Ranjeva ishte modeli i luftëtarit të lirisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marr pjesë në Akademinë përkujtimore të 6- vjetorit të ndarjes nga jeta të luftëtarit të UÇK-së, Ejup Ranjeva.

Me këtë rast, i pari i shtetit vlerësoi lart kontributin e komandant ‘Era’ për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Thaçi në mesin e shumë personave të tjerë që kishin ardhur për të nderuar veprën e Ejup Ranjevës shprehu fjalë të mëdha për komandant ‘Era’, që sipas tij ishte njëri nga veprimtarët e parë që iu janë bashkangjitur UÇK-së dhe se ishte model i luftëtarit të lirisë.

“Ejupi ishte prej veprimtarëve të parë që iu bashkëngjitë UÇK-së në këtë pjesë të Kosovës, pikërisht bashkëpunim i Agimit, komandant Zefit dhe i Ejupit me angazhimin dhe sugjerimin e këshillat e komandant Shukri Bujës, bëri që ushtria jonë të zgjerohet, forcohet, mobilizohet dhe të ketë një mbështetje masive në Kaçanik dhe rrethinë. Ejupi ishte një luftëtar i orëve të para, shquhej për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme të mobilizimit, afrimit. Ai ishte modeli i luftëtarit të lirisë, modeli i një luftëtari që na duhej në atë kohë, i duhej kauzës për çlirim dhe pavarësi dhe idealit madhor për bashkim kombëtar…kam pas nderin që të kaloj së bashku me të në shumë angazhime më të, të jemi së bashku me të në ‘Bjeshkët e Sharrit në shi dhe më borë”, Thaçi.

Pjesë e kësaj akademie ishte dhe kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili u shpreh se Ejupi ishte një njëri që e donte atdheun dhe zhvillimin e tij dhe se gjithë përkushtimin dhe potencialin e tij e ka vendosur tek çlirimi i vendit.

“Tërë përkushtimin dhe potencialin e tij e kishte tek çlirimi i vendit… ai ishte një njeri i thjeshtë që e donte atdheun dhe zhvillimin e tij. Veprimtaria dhe angazhimi i tij nuk munguan dhe pas luftës, ai udhëhoqi organizatën e veteranëve deri në çastet e fundit të jetës së tij”, u Ilazi.

Bashkëluftëtari i Ejupit, Zhabir Zharku kujtoi momente që kanë kaluar bashkë me komandant ‘Erën’.“Së bashku me komandant ‘Erën’ në vitin 1999 në krahun tim të djathtë, së bashku me të pritnim forcat e NATO-s që të shtrëngonim duart me ata të cilët bëmë lirinë e Kosovës. Ishim së bashku dhe ngelëm së bashku”, tha ai.
Ndërsa, komandanti i zonës, ish-deputeti Shukri Buja u shpreh se kujtimi për Ejupin është i vështirë për shkak të afërsisë që ai kishte më të.Sipas tij, ai ishte njohës i mirë i artit ushtarak dhe se me angazhimin e tij, ai është bërë kolos i Kosovës.

“Ejupi ishte njohës i mirë i artit ushtarak i cili iu bashkua dy kolosëve, ishte bashkë me Agim dhe Qamil Kajtazin tash Ejupi me angazhimin e tij do të bëhej kolos i Kosovës”, tha ai.

Mes gjithë të pranishmëve ishte dhe e bija e Ejupit, Vlora, e cila mes emocionesh shkurtimisht u shpreh falënderuese ndaj të gjithëve dhe tha se përkujtimi për dëshmorët i bën nder vetëm UÇK-së.Kujtojmë se komandant Ejup Runjeva ka qenë kryetar i OVL-së, së UÇK-së në Kaçanik.