Thaçi e do përfshirjen e SHBA-së në dialog, Borrelli thotë se “çelësi është te Kosova e Serbia”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se uniteti i Bashkimit Evropian dhe koordinimi i ngushtë me SHBA-në është çelësi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi. Por, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, thotë se kjo varet vetëm nga Kosova e Serbia.

Pas takimit të sotëm, Thaçi ka thënë se Borrellit i duhet marrëveshje nga të gjitha vendet e BE-së që të mos ketë ngecje në dialog sikur në të kaluarën.

“Çelësi i marrëveshjes Kosovë – Serbi është uniteti evropian dhe koordinimi i ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së. Natyrisht është marrëveshja e drejtë, që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. E di që s’do të jetë proces i lehtë, por jam optimist se është i arritshëm. Pres nga Brukseli dhe Washingtoni përpjekje të shtuara e të koordinuara që të përmbyllet me sukses”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm teksa ka kujtuar se Grenelli ka arritur marrëveshjet që për një kohë nuk janë arritur nga të tjerët.

Në anën tjetër, Borrell ka thënë se BE-ja është e angazhuar për çështjen e Kosovës dhe se me Amerikën nuk kanë dallime, por do të punojnë bashkë “pa rivalitet”.

Ai po ashtu është shprehur se BE-ja dëshiron formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re të Kosovës. Ai ka thënë se nuk është në garë me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell për çështjen e dialogut.

“Ajo që dëshirojmë të shohim është të shohim qeveri sa më shpejtë që të jetë e mundur. Presidenti më sqaroi se kjo do të jetë shpejtë. Siç e dini amerikanët kanë shumë plane, për çdo gjë. Kanë plan për Lindjen e Mesme, për Kore e për këtu. Është një çështje që të kesh plan e një tjetër që të angazhohesh që të kesh sukses. Ne kemi qenë shumë të angazhuar e kemi shpenzuar më shumë se një miliard euro. Kemi krijuar strukturë të mirë të infrastrukturës e mbi 150 milionë euro investime, por unë s’po bëj garë me amerikanët. SHBA-ja dhe BE-ja do të punojnë bashkërisht për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Do të punojmë së bashku. S’do të ketë diferenca mes neve dyve që të zgjidhim problemet. S’ka rivalitet. Ndoshta s’jemi të zëshëm, por jemi të involvuar shumë në këtë çështje. Jam këtu si njeri përgjegjës i Evropës për lehtësimin e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës sepse problemi mund të zgjidhet vetëm nga këto dyja, në negociatat mes këtyre dyjave. Marrëveshje mund të arrihet vetëm kur këto dy vende do të pajtohen. S’do të imponojmë asnjë lloj marrëveshje. Duam të lehtësojmë. Nëse arrihet marrëveshja s’do të jemi më Papë se Papa”, ka thënë Borrelli.