Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko ka shtruar sonte darkë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lukashenko ka shtruar darkë për presidentët dhe kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse në Lojërat e Dyta Evropiane në Minsk, ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Federatës ruse, Dmitri Medvedev dhe kryesuesi i Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, transmeton Ballkani.info.
Në Minsk sot ka udhëtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Njoftimin se Thaçi do të udhëtojë për në Bjellorusi e ka lëshuar zyra e tij, duke treguar se atje do të marrë pjesë me ftesë të Kreut të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic.
“Me ftesë të Kryetarit të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Minsk të Bjellorusisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndër të tjera në njoftim përmendet edhe fakti se në Minsk do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa.
“Presidenti Thaçi, bashkë me shumë përfaqësues të shteteve evropiane, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Evropiane “Minsk 2019””, përfundon njoftimi.
Nuk dihet nëse Thaçi në Minsk do ta takojë homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Hera e fundit kur Thaçi dhe Vuçiq janë gjendur përballë njëri tjetrit, ka qenë Forumi ‘GlobSec’ i cili u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë.
Më herët ata ishin takuar edhe në Samitin e Berlinit. /Ballkani.info/







