Thaçi dhe Veseli pijnë bashkë kafe FOTO

Liderët e koalicionit qeveritar, të cilët sot i ka mbledhur në kabinetin e tij Kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë hartuar një Draft-Rezolutë për Dialogun, e cila pritet t’i propozohet për harmonizim edhe opozitës.

Pas këtij harmonizimi, presidenti i vendit, Hashim Thaçi është parë duke pirë kafe në një nga lokalet e kryeqytetit me kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Ballkani.info ka siguruar një fotografi të dy liderëve. Takimi ka ndodhur pasi që Thaçi ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për dialogun me Serbinë dhe draft-rezolutën e paraqitur nga koalicioni qeverisës.

Thaçi e Veseli kanë ftohur raportet prej kur Presidenti i mori zyrtarët e PDK-së në Ujman, në ditën kur zhvillohej protesta e Lëvizjes Vetëvendosje. Veseli u kërkoi dorëheqjen zyrtarëve që morën pjesë me Presidentin por më vonë u tërhoq dhe tha fjalë të mira për Abelard Tahirin e Bedri Hamzen.

Veseli i ka ftuar sot në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi, para të cilëve ka shtruar nevojën për arritjen e konsensusit mes partive politike parlamentare lidhur me Dialogun, shkruan ballkani.info.

Draft-Rezoluta përmban 6 pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në Dialog. /Ballkani.info/