prizreni

Teleferiku për Kalanë e Prizrenit mbetet në letër

Qytetarët dhe vizitorët të cilët ia mësyjnë Kalasë së Prizrenit edhe më tutje duhet ngjiten në këmbë në një lartësi mbi detare prej 525 metra. Kalaja mund të jetë pikë e paarritshme për ata që nuk mund të ecin këtë rrugë gjarpërore, pasi projekti për teleferikun ende nuk është afër të realizohet.

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje në Kalanë e Prizrenit, i cili ishte hapur në muajin prill të vitit 2017 është anuluar në muajin qershor të vitit 2018. Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka kishte thënë se projekti i teleferikut për qasje në Kala është problematik për shkak se nuk është në përputhje me tri ligje: Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat.

“Projekti është anuluar në tërësi për shkak se është në kundërshtim me ligjet e përmendura dhe si i tillë ky projekt nuk mund të realizohet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për Kallxo.com.

Në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për Kallxo.com thuhet po ashtu se nuk ka ndonjë projekt tjetër për shkak se para projektimit iu duhet studimi i fizibilitetit. Ky studim, që ende nuk është bërë, pritet të përcaktojë llojin e teleferikut për Kala, si dhe lokacionin e saktë në mënyrë që të përmbushen të gjitha kushtet dhe të mos shkelen ligjet që janë në fuqi.

“Studimin e fizibilitetit planifikojmë ta bëjmë gjatë vitit të ardhshëm dhe më pas do të shikojmë mundësitë për mënyrën më të mirë të realizimit të projektit”, vazhdon përgjigja e Komunës së Pruzrenit.

Ndërhyrja e kryetarit Haskuka për anulimin e tenderit

“Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” i iniciuar nga Komuna e Prizrenit ishte kthyer në rivlerësim pas ndërhyrjes së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

“Teleferiku faktikisht nuk është teleferik, por është gondolë, e cila i ka dy stacione. Njëra shkon poshtë, kurse tjetra lart dhe ka formën e hekurudhës, ku është paraparë të ketë dy stacione”, ka potencuar Haskuka.

Ai ka shpjeguar se stacioni i parë i teleferikut është paraparë të jetë 3 kate, bashkë me bodrum kurse stacioni në kala të jetë 4 kate.

Po ashtu Haskuka ka thënë se vlera e projektit është shumë e lartë, diku rreth 3.6 milionë euro.

Si problematike ai e ka konsideruar edhe bazën afër Kalasë e cila është 280 metra katrorë, por sipas Ligjit, çfarëdo ndërtimi që bëhet në Qendrën Historike të Prizrenit nuk mund të jetë më shumë se 150 metra katrorë.

“Problem tjetër është se pamja e kalasë prishet totalisht, sepse është vetëm 5 metra larg murit të Kalasë dhe ligji në fuqi thotë se nuk mund të ndërtohet 50 metra afër kalasë”, ka theksuar kryetari Haskuka.

Ai kishte thënë se përfundimisht çështja e teleferikut duhet rishqyrtuar dhe atë duhet bërë sipas nevojave të qytetarëve dhe jo sipas nevojave të disave personave që kanë pasur dëshirë për të bërë restorant pikërisht në ambientet e kalasë”, është shprehur Haskuka.

Mytaher Haskuka ka thënë se teleferiku duhet të bëhet, por duhet të jetë me gjatësi një stacion më larg kalasë, rreth vendit të quajtur “Pasha çeshme”, dhe duhet të jetë më pak i kushtueshëm.

“Duhet të jetë praktik edhe për qytetarët edhe për vetë qytetin e Prizrenit. Projekti aktual i teleferikut, nuk do t’ia rriste vlerën Prizrenit, përkundrazi, do t’ia humbte”, ka thënë Haskuka.

I pari i komunës së Prizrenit ka thënë se ky projekt nuk e ka pëlqimin e Qendrës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Këshillit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Institutit Arkeologjik dhe disa institucioneve të tjera.

Gazeta JnK nuk ka marrë përgjigje nga OShP kur është pyetur në lidhje me atë nëse është e drejtë që të respektohet Ligji për Prokurim Publik në rastin e teleferikut për qasje në kalanë e Prizrenit e nga ana tjetër të shkelen tre ligje të tjera të cilat janë potencuar nga Haskuka.

“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me lënden në fjalë, mund t’i referoheni vendimit të panelit shqyrtues”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Historiku i tenderit për teleferikun

Njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit është përgatitur në muajin prill të vitit 2017 dhe afati për operatorët ekonomikë për dorëzimin e aplikacioneve ka qenë deri në muajin qershor.

Tre operatorë kanë dorëzuar ofertat e tyre. Kompania “I. Seferi” me seli në Prizren ka ofertuar me një çmim prej 3 milionë e 411 mijë eurove. Konsorciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë & Energoremont D.D & KAG Asphalt company” ka ofertuar me 3 milionë e 465 mijë euro, ndërsa operatori “Ekoinvest” me seli në Prishtinë ka ofertuar me 3 milionë e 296 mijë euro.

Komuna e Prizrenit ka vonuar plot 100 ditë vlerësimin e këtyre ofertave. Më 30 tetor 2017 ka vendosur që këtë tender ta anulojë.

Në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” thuhej se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”.

Komuna e Prizrenit si autoritet kontraktues ka sqaruar për KALLXO.com se operatorët janë eliminuar nga aktiviteti i prokurimit për shkak se kanë qenë të papërgjegjshëm.
“Tre operatorët që kanë marrë pjesë në konkurrim për këtë projekt kanë qenë të papërgjegjshëm, andaj Ligji për Prokurim Publik (LPP), në këto raste parasheh anulimin e tenderit”, ka thënë Ymer Berisha, zyrtar për informim në Komunën e Prizrenit.

Kundër njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit operatori ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & KAG Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë me datë 16.04.2018 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek autoriteti kontraktues.

Me 20.04.2018, Komuna e Prizrenit ka marrë vendim për ta refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë.

Operatori ekonomik ankues “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë, si palë e pakënaqur, ka deponuar ankesë në OShP, me 27 prill 2018, kundër njoftimit për dhënie të kontratës me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit”, të iniciuar nga AK – Komuna e Prizrenit duke pretenduar se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 6, 59, 62 të Ligjit për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës.