Tekste të reja shkollore për shkollat fillore dhe të mesme pritet të hyjnë në përdorim në vitin shkollor 2019/2020.

Hyrja në fuqi e kurrikulës së re shkollore dhe vazhdimësia e përdorimit të teksteve shkollora me gjuhë të papërshtatshme po shihen si problematike nga njohësit e fushës.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com në dhjetor kishte thënë se janë në fazën finale të pranimit të këtyre teksteve.

“Tani jemi në fazën finale, është bërë thirrja publike, janë dorëzuar dorëshkrimet të kërkesës së parë që është bërë në thirrjet publike dhe presim që deri në fundin e këtij viti të bëhet edhe dorëzimi i dorëshkrimeve të fundit dhe na mbetet pastaj t’i emërojmë recensentët për vlerësimin e këtyre dorëshkrimeve dhe aprovimin e librave final dhe presim që në vitin e ri shkollor të jenë në funksion. Nuk kemi rishikim por tekste të reja që do të jenë në përputhje të plotë me kurrikulat”, tha Bytyqi.

Këto tekste po vijnë me vonesë sipas njohësit të fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci.

Pupovci për KALLXO.com tha se ndërrimi i librave ishte dashur të bëhet me kohë.

“Zbatimi i Kurrikulës së re në të gjitha shkollat e Kosovës ka filluar më 1 shtator 2017, para se ministri i tanishëm ta merr mandatin, ndërsa tekstet për klasën e parë, të gjashtën dhe të dhjetën është dashur të jenë gati po atë ditë….E gjithë kjo është dashur të planifikohet me kohë, por nuk është vepruar ashtu, prandaj edhe nxënësit janë ende pa tekste shkollore adekuate. Konsideroj se hartimi i teksteve nuk mund të bëhet me shpejtësi më të madhe, prandaj edhe fakti që nxënësit janë sot pa tekste duhet t’i atribuohet planifikimit jo të mirë para se të fillojë zbatimi i kurrikulës së re”, tha Pupovci.

Ai shtoi se edhe vetë kurrikula e re ka nisur zbatimin me shumë sfida.

“ Zbatimi i Kurrikulës së bazuar në kompetenca është shumë sfidues, jo vetëm për shkak të mungesës së teksteve adekuate, por, në radhë të parë për shkak të mungesës së qartësisë se çfarë sjellë një kurrikulë e tillë, për të cilën nuk kemi përvojë, jo vetëm në Kosovë, por as në Ballkan. Këtu është i nevojshëm një veprim më energjik i Ministrisë, në mënyrë që të mos shkaktohen pasoja në sistemin e arsimit, duke nxjerrë disa gjenerata që nuk ia dalin t’i zotërojnë kompetencat e duhura, e pastaj të shfaqet nevoja për t’iu kthyer sistemit të vjetër”, tha Pupovci

Pasojat e gjuhës së papërshtashme në tekstet shkollore

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë, në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të biologjisë, edukatës qytetare, historisë, psikologjisë dhe sociologjisë të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

Jehona Gjurgjeala, Drejtoreshë e organizatës ‘Toka’, që merret edhe me edukimin jo formal të të rinjve, foli lidhur me pasojat e gjuhës seksiste nëpër tekste shkollore.

“Ne si shoqëri vazhdimisht po çuditemi se si gjeneratat e reja vazhdojnë me pasë mendime shumë konservative, me role tradicionale gjinore, bazuar në pushtetin e më të fortit, por duhet ta kuptojmë që ajo nuk ndodh në vakum por ajo është duke ndodhur pikërisht si rezultat poashtu edhe i shembujve që i marrin dhe burimeve në të cilat mbështeten kur janë të vegjël. Në këtë kontekst kur je ti një nxënës në shkollë fillore e të mesme dhe tekstet e shkollës janë përplot me referenca të mosbarazisë gjinore, ti këtë shembull pastaj e përcjell edhe kur të rritesh”, tha Gjurgjeala.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri “Njeriu dhe Natyra”, të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.