Trepça

Të punosh 1 kilometër nën tokë

Janë hiç më pak se 270 kilometra galeri në minierën e Stantërgut në Mitrovicë ku për çdo ditë janë vend pune për rreth 350 minatorë, sa punojnë aty brenda në minierë. Për të siguruar bukën e gojës, përmes një llambe të vendosur në kokë, ata për çdo ditë futen mbi 800 metra nën tokë për të nxjerrë xehe

“Me fat!”, janë fjalët e fundit të shkruara me ngjyrë të bardhë, sipër derës së gjelbër, e ndërtuar prej dekadash në minierën e Stantërgut në Mitrovicë. Këtu është fundi që ndan “qytetin” mbi tokë me atë nën tokë.

Pak metra në brendi gjendet kabina komanduese që lidh tokën me nëntokën përmes sinjaleve që kuptohen vetëm nga minatorët, por jo edhe nga të tjerët që vizitojnë atë.

Kabina e vogël në të cilën punojnë dy persona në shikim të parë të dukej si pjesë e muzeut e braktisur prej kohësh, por në realitet kjo edhe më tutje shërben si urë e vetme lidhëse mes minatorëve që punojnë rreth 1 kilometër nën tokë me ata që punën e kryejnë mbi 800 metra sipër tyre.

Po ashtu edhe ashensori, ose kafazi siç e quajnë minatorët, i ndërtuar në vitin 1954 e përmes të cilit për çdo ditë minatorët zbresin në minierë, në shikim të parë duket i frikshëm, por për ata që e përdorin ketë së paku dy herë në ditë është e zakontë.