Të premten seancë e jashtëzakonshme, diskutohet për sektorin privat

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme këtë të premte, të inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo seancë u thirr me qëllim të diskutimit për gjendjen e sektorit privat në Kosovës, gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, të premten e kaluar, tha se në këtë seancë duhet të miratohet një pako e veprimeve ekonomike dhe financiare që ndihmon sektorin privat për tejkalimin e kësaj situate.

“Shqetësimet e ndërmarrësve, janë shqetësime të thella të mbi 70 mijë ndërmarrësve, rreth 280 mijë punëtorëve të sektorit privat të cilët po rrezikohen, po rrezikohet veprimtaria e këtyre ndërmarrësve, po rrezikohen pagat e 280 mijë familjeve në Republikën e Kosovës . Ne nuk do të rrimë duarkryq. PDK do të ndërmarrë hapat konkret për tejkalimin e kësaj situate. Hapat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës nuk janë të mjaftueshëm për faktin se janë shumë sipërfaqësore, nuk u përgjigjen kërkesave të sektorit privat i cili në fakt e mbush arkën e shtetit, përmes së cilës mbahet gjithë jeta ekonomike, politike, sociale, kulturore në Republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë veprimet që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri janë jashtë ligjore”, pati deklaruar lideri i opozitës, pas takimit që pati me kryetarët e odave ekonomike.