Të përmirësohen programet trajnuese për çështjet gjinore në administratën publike

Koalicioni “Të drejtat e barabarta për të gjithë (ERAC)” prezantoi të gjeturat e raportit “Programet e trajnimit për çështje gjinore për administratën publike të Kosovës”.

Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka deklaruar se qëllimi i hulumtimit ka qenë idenfikimi i gjendjes reale të shërbyesve civilë në raport me trajtimin në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi dashur të sigurohemi nëse institucionet i ngrisin kapacitetet në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese për shërbyesit e tyre”.

“Jemi koncentruar vetëm tek shërbyesit civilë, sepse kemi parë që mungon informacioni për çështje të rëndësishme siç janë diskriminimi dhe ngacmimi seksual në vendin e punës”.

Sipas Demollit, është e domosdoshme që Agjencia për Barazi Gjinore dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike ta zyrtarizojnë bashkëpunimin e tyre përmes një memorandumi mirëkuptimi për çështjet gjinore.

“Specifikisht, Agjencia për Barazi Gjinore do të duhej të kishte një memorandum bashkëpunimi me IKAP-in. Nuk janë nënshkruar dy dokumente të rëndësishme të cilat do t’i obligonin institucionet tona që në mënyrë të vazhdueshme të realizojnë trajnime për çështje gjinore”.

Reyes Charle, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se zëri i shoqërisë civile duhet të dëgjohet nga institucionet publike.

“Ju keni përmendur përfitimet që projekti juaj i ka dhënë tek individët dhe kjo është një prej arritjeve më të mëdha. Në një event si ky ju nuk jeni vetëm një partner i qëndrueshëm për BE-në, por keni treguar se kapacitetet tuaja për avokim tek institucionet janë të mrekullueshme dhe zëri i shoqërisë civile duhet të dëgjohet. Shpresojmë se ky trend të vazhdojë dhe shpresoj që institucionet publike t’u dëgjojnë juve”.

“Ne së fundi kemi lansuar një analizë gjinore dhe e kemi prezantuar në Mitrovicën e Veriut. Zonja Apostolova e ka lansuar para disa jave. Kemi pasë shumë pabarazi.

“Kjo analizë është bërë që të na informojë neve në zyrën e BE-së për gjendjen aktuale. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për barazi dhe për këtë arsye trajnimi është i rëndësishëm dhe pa dyshim që shërbimi civil është i rëndësishëm. Është esenciale që të gjithë shërbyesit civilë të jenë të një mendjeje”.

Jeta Bakija, menaxhere e projekteve në Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve, tregoi më gjerësisht për Koalicionin për të Drejtat e Barabarta, raporton EO.

“Koalicioni për të drejtat e barabarta është një koalicion i cili është formuar me mbështetjen e BE-së. Është një rrjet i 7 organizatave të cilat promovojnë të drejtat e njeriut, kryesisht komunitetet joshumicë, RAE, LGBTI”.

“Gjatë 3 viteve jemi munduar të krijojmë një mekanizëm bashkëpunimi ku organizojmë trajnime dhe punëtori të ndryshme dhe mundohemi të lobojmë për mbrojtjen e të drejtave të grupeve që i ceka. Deri tani kemi publikuar 7 raporte dhe i kemi edhe 15 që do t’i publikojmë në të ardhmen”.

Enver Haxhijaj, përfaqësues nga Instituti për Administratë Publike, i vlerësoi të rëndësishme dhe të mirëseardhura për Administratën Publike të gjeturat e këtij hulumtimi.

“Vlerësimi i rezultateve të organizatave dhe nëpunësve civilë, ekzekutimi i trajnimeve nga trajnerë profesionistë, bën të mundur të përfitojmë nga një trajnim me nivel të lartë. Prezantimi  i raportit është i rëndësishëm sepse përbën një moment kyç në situatën që jemi duke e kaluar. Kemi nxitur propozimin që të ndryshohet mënyra e financimit të trajnimit. Çdo e gjetur do të jetë me vlerë të madhe dhe e mirëseardhur”.

Lavdi Zymberi, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, prezantoi të gjeturat që kanë dalë nga ky raport.

“Në 2015 nuk ka pasur asnjë trajnim për çështje gjinore. As në 2016 nuk ka pasur ndonjë trajnim. Më 2017 është mbajtur vetëm një trajnim për trajnerë me 15 pjesëmarrës – 14 gra dhe 1 burrë , 6 trajnime dyditore për 88 shërbyes civilë, prej të cilëve 63 ishin gra dhe 25 burra”.