“Të ndalohet qasja e imamëve në burgje”

20 imamë të përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë nisur ligjërimin në burgjet e Kosovës me qëllim të deradikalizimit të të burgosurve.

Ligjërimi i tyre në burgje ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për “realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur” në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në maj të këtij viti.

Lajmin për nisjen e këtij procesi e kanë bërë të ditur për “Zërin” zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Zyrtari për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Jeton Kabashi, ka thënë se ligjërimi ka nisur, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pohon se pavarësisht që këta imamë kanë kaluar procesin e verifikimit nga ana e institucioneve të sigurisë (AKI), gjendja me të cilën do të ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë do të jetë shumë më jokontrollues me futjen e imamëve në burgjet e Kosovës.

“Unë vlerësoj që këta imamë pavarësisht nëse e kalojnë procesin e verifikimit ose jo t’u ndalohet qasja në objektet e sigurisë (burgjet e Kosovës), sepse me një proces të tillë duhet të merret Ministria e Arsimit përmes hartimit të një programi të veçantë, ku në të aktivizohen teologët, sociologët dhe që i tërë procesi mund të kontrollohet nga ana e Ministrisë së Arsimit sa i përket ligjërimit dhe asaj të drejtësisë sa i përket sigurisë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Shala thotë se deradikalizimi nuk mund të arrihet me sukses me anë të kësaj metode “ad hock”.

Më e mira sipas tij do të ishte që këta persona të cilët janë të dënuar nga ana e sistemit të drejtësisë t’u nënshtrohen terapive neuro-psikologjike dhe të aktivizohen në shoqëri përmes programeve socio-kulturore.

Ndryshe, marrëveshje e bashkëpunimit për “realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur” në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është bërë në maj të këtij viti. /ZERI