Të fundit lidhur me filmin “Shtëpia e Verdhë”

Në kohën më të errët të historisë sonë, luftëtarët e lirisë ishin shpresa dhe shpëtimi ynë i vetëm. Në kohën e lirisë, po të njëjtit, bartën barrën e sigurimit të paqes dhe parandalimin e hakmarrjes. Duke qenë udhëheqës të këtyre përpjekjeve vendimtare, historia u kujdes që t’ua japë edhe privilegjin e të qenit baballarë të shpalljes së pavarësisë dhe udhëheqës të shtetndërtimit. Ndoshta misioni i fundit historik duhej të ishte në shërbim të forcimit të paqes dhe mbylljes së kapitullit të armiqësisë shekullore me Serbinë. Këtë mision paqësor e pamundësoi bërja publike në mënyrë krejt të pazakontë e një aktakuze gjoja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Presidenti i Kosovës ishte në fluturim për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë, për të nënshkruar një marrëveshje paqeje. Për fat të keq, misioni i tij u ndërpre për shkak të ngritjes së një aktakuze e cila është rezultat i një konstruktimi fiktiv lidhur me të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë, në të cilën supozohej se kishin ndodhur krime dhe nxjerrje e organeve njerëzore. Po si është e mundur që një konstruksion fiktiv dhe i bazuar në informata të rrejshme, të përfundojë me një hetim dhjetëvjeçar për të ngritur akuza kundër udhëheqësve të luftës për liri dhe shtetndërtim? Si ka mundësi që heronjtë dhe themeluesit e shtetit të Kosovës të akuzohen si kriminelë lufte, ndërsa UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj, si një organizatë kriminale mafioze? A është kjo një përpjekje për të rishkruar historinë e luftës tonë çlirimtare?

Këtyre pyetjeve pritet t’u japë përgjigje procesi maratonik i Gjykatës Speciale.

Ne jemi mësuar tashmë që kur është në pyetje Kosova dhe qytetarët e saj, gjithçka është sui generis. Prandaj, nga kjo pikëpamje, funksionimi i kësaj gjykate dhe trajtimi special i të akuzuarve (që janë vetëm shqiptarë) ironikisht do të mund të konsiderohet si një privilegj. Pra, një Gjykatë Speciale e madhe për Kosovën tonë të vogël. Një gjykatë që akuzon dhe gjykon vetëm shqiptarët, pa e “rrezikuar” karakterin multietnik të Kosovës, e duke vënë në shënjestër udhëheqësit e UÇK-së, si një ndërmarrjeje fantome të përbashkët kriminale, respektivisht mafioze.

E vërteta e hidhur është se me Kosovën, luftëtarët e lirisë dhe drejtësinë ndërkombëtare, është duke ndodhur një realitet i dhimbshëm dhe brutal. Pasojat shkatërruese të këtij procesi do të mbeten të pariparueshme. Realiteti është i hidhur, por edhe sikur të ishte vetëm një ëndërr e keqe apo film, përsëri do të mbetej i tillë. Në fakt, krejt kjo situatë ngjan me një ëndërr të keqe ose me një film fantastik-shkencor, me skenar dhe regji të Beogradit, i xhiruar diku në Serbi. Mjerisht, filmi real është në xhirim e sipër në kryeqytetin e drejtësisë ndërkombëtare, në Hagë.

Por si filloi dhe si pritet të zhvillohet dhe të përfundojë ky projekt filmik i zhanrit horror për luftën në Kosovë?

Në fakt, “Shtëpia e Verdhë” ishte pikënisja dhe thelbi i gjithë tregimit fiktiv ku aktorë u konsideruan udhëheqësit e UÇK-së të cilët supozohej se kishin bërë nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore. Jo rastësisht, një aktor tepër i njohur kosovar të cilin në New York shpesh e ngatërronin me George Clooney, u përzgjodh fillimisht, dhe pastaj e detyruan të luajë rolin kryesor. Autorë të ndryshëm, duke përfshirë hetues dhe prokurorë u treguan tepër të zellshëm që ta bëjnë këtë tregim sa më atraktiv për opinionin publik vendor dhe atë ndërkombëtar. Sponsorët primar të ndërtimit të këtij tregimi horror ishin Beogradi dhe Moska, duke përdorur instrumente dhe metoda të njohura të inxhinieringut dhe fabrikimeve false.

Në momentin kur tregimi mori vëmendjen e duhur vendore dhe ndërkombëtare, i njëjti përfundoi me një skenar të hartuar mirë që pa hezitim u aprovua nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Evropës. Në këtë pikë, u vendos që ky projekt i filmit fiktiv dhe horror të realizohej duke siguruar sponsorë të fuqishëm nga shtetet më të rëndësishme perëndimore. Sponsorët vendosën që filmi të xhirohej në Kosovë dhe në Hagë, mirëpo shpejt e kuptuan se Kosova nuk përmbush kriteret për mirëqenie adekuate të regjisorëve dhe stafit të tyre të gjerë mbështetës. Kështu, Haga u bë arenë, vend  xhirimi dhe shfaqjeje e këtij filmi. Thuhet se xhirimet dhe provat kanë ecur mirë dhe se filmi pritet të shfaqet në pranverë të vitit të ardhshëm. E, për shkak të shikueshmërisë që pritet të këtë, mjerisht, filmi do të ketë shumë episode.

Përkundër faktit se ky projekt ka filluar dhjetë vjet më parë, autorët e tij nuk presin që ai të përfundojë shpejt. Ndërsa, vetëm pasi të përfundojë shfaqja e filmit, e cila mendohet se do të zgjatë disa vjet, aktorët e marrë me forcën e ligjit nga Kosova, do të mund të kthehen në atdhe tek familjet e tyre.

Filmi për trafikimin me organe njerëzore që po xhirohet në Hagë, pritet të jetë një ndër projektet filmike më të shtrenjta. Edhe pse do të duhej të mbetet vetëm një film,  tema që ai trajton, përveç që ka dëmtuar jetën personale të personazheve kryesore, ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe të sponsorëve ndërkombëtarë të cilin ishin pjesë e çlirimit dhe pavarësisë së saj.

Opinioni kureshtar pret më padurim për të kuptuar epilogun e këtij filmi. Ndërkohë, dilema dhe sfida të mëdha preokupojnë autorët e shumtë, skenaristët dhe regjisorët e përfshirë në këtë projekt filmik maratonik. Të njëjtit ka kohë që e kanë kuptuar se sponsorët fillestarë të këtij projekti(Serbia dhe Rusia) e kishin projektuar këtë tregim për t’i kënaqur audiencat e tyre, por jo edhe ato kosovare dhe perëndimore. Për më tepër, ata e kanë kuptuar më në fund se tregimi ka qenë fiktiv dhe jo i bazuar në ngjarje të vërteta. Prandaj edhe regjisorët e përfshirë në projekt janë konfuzë lidhur me aktin e fundit të këtij filmi. Ata janë në hall jo vetëm për epilogun mirëpo edhe për arsyetimin e parave të majme të shpenzuara në një film pa asnjë vlerë kredibile artistike apo juridike. Ndërsa, aktorët kosovarë të cilët u arrestuan me forcë që të behën pjesë e këtij procesi duke qenë gjithmonë të bindur në qëllimin e tyre për të mbrojtur të vërteten dhe drejtësinë, me të drejtë presin një përfundim i cili do të shpërfaq dhe shpartallojë qartazi gjithë fantazinë qëllimkeqe të ideatorëve të këtij projekti.

Kosova nuk e ka merituar këtë projekt ndërkombëtar, i cili njollos shumë projekte tjera të dobishme ndërkombëtare. Prandaj, sa më shpejt që të përfundojë ky film i turpit dhe mashtrimit, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe partnerët ndërkombëtarë të saj.

“Shtëpia e Verdhë”, si e tillë, nuk ka ekzistuar kurrë, por është shpikje e fantazisë dhe imagjinatës së strukturave inteligjente serbe dhe ruse.

Kosova, si gjithë bota e civilizuar dhe demokratike nuk njeh shtëpi me ngjyra të tjera, përveç asaj në Uashington, Shtëpinë e Bardhë, adresën e saktë të vlerave të lirisë.