Tahiri i reagon Serbisë: Republika e Kosovës kurrë më nuk do të ruhet e kthehet nga Serbia

Zv/kryeministri i vendit, Besnik Tahiri tha se kryeministrja serbe Ana Brnabiq bashkë me 23 ministrat e kabinetit të saj të ri duhet ta dinë se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike si dhe e drejta kombëtare e ndërkombëtare.

Këtë reagim Tahiri e bëri pasi dje anëtarët e e kabinetit të Brnabiq lexuan tekstin e betimit, ku ndër të tjerash thuhej: “Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjsi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Besnik Tahiri tha se është hipokrizi e madhe që në njërën anë të kërkohet dialog e normalizim i marrëdhënieve e në tjetrën anë të ketë deklarata të pamatura për nxitje të konfliktit.

“Një gjë është e qartë, Republika e Kosovës kurrë më nuk do të ruhet e kthehet nga Serbia”, shtoi ai.