Sveçla: Në Washington Kosova doli humbëse

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka lëshuar një sërë kritikash ndaj Qeverisë Hoti lidhur me Marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

Duke e quajtur kryeministrin Avdullah Hoti “kryeministër jolegjitim”, Sveçla tha se Marrëveshja nuk kishte fare të bëjë me Serbinë sepse Kosova nuk përfitoi në asnjë pikë.

Se Albin Kurti dhe individë tjerë kanë kritikuar SHBA-në, Sveçla tha se është e pavërtetë, edhe pse së fundmi edhe i dërguari Special i SHBA-së për dialogun me Serbinë, Richard Grenell, e quajti anti-amerikan Kurtin.

““Nuk është e vërtetë. Një shou medial e propagandistik që Grenell u mundua ta zmadhoj nga ky nënshkrim i letrave të zotimit. Pas këtij dështimi ai u kthye me nervozë së pari te mediat në Amerikë, pastaj te LVV-ja që deklaroi se ne nuk do t’i zbatojmë kushtet jashtëzakonisht të pavolitshme të rënda, antikushtetuese që janë nënshkruar nga Avdullah Hoti kryeministri jolegjitim i Kosovës, dhe kjo pastaj ngjalli reagimin e tij. Por në vetvete kjo nuk do të thotë asgjë”, tha Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

Sveçla thekson se Kosova, nuk duhet asnjëherë të bëhet subjekt i përfitimeve të palëve të ndryshme në SHBA.

“Në çdo moment kur ne bëhemi palë e luftës së brendshme elektorale atje, dëmtohemi”, tha Sveçla.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, theksoi se nga Marrëveshja në Washington, Kosova nuk ka përfituar asgjë.

“Kemi analizuar këtë letër, nuk kemi gjetur as edhe një përfitim të vetëm”, theksoi Sveçla.

Njohjen nga Izraeli, Sveçla e quajti si të parëndësishme kur bëhet fjalë për një Marrëveshje me Serbinë.

“Në njohjen nga Izraeli fitojmë ne, sigurisht, por në raport me Serbinë nuk përfituam asgjë. Njohja e Izraelit nuk ka fare të bëjë me ndonjë marrëveshje me Serbinë. Mes kujt ishte marrëveshja me Izraelin? Nuk ka kurrfarë relevance kjo në raport me atë se si dhe çfarë marrëdhëniesh e shohin Kosova e Serbia njëra-tjetrën”, shtoi Sveçla.

“Të gjitha janë koncesione. Por njohja nga Izraeli është pozitive. Edhe çështja e 5G, kjo fare nuk ka të bëjë me Serbinë. Ne edhe si Qeveri Kurti kemi pranuar kërkesa nga SHBA-ja ta adresojmë këtë çështje. Bëhet fjalë për teknologjinë kineze që nuk është e besueshme. Jemi zotuar se ky problem realisht nuk do të ekzistojë në Kosovë, pasi nuk kemi sytë nga ajo teknologji. Pastaj dekriminalizimi i homoseksualizmit. Çështja e Hezbollahut. Këto çështje janë të ndara, nga raportet me Serbinë”, shtoi tutje Sveçla.

Sveçla theksoi se në Marrëveshjen e nënshkruar në Washington, Kosova veçse ka ndalur humbëse.

“Në pikat ku adresohen çështjet e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, në të gjitha kemi dal në humbje. Çfarë kemi marrë ne. A duhet për çdo njohje që marrim nga vendet të tretë të bëjmë lëshime në raport me Serbinë. A duhet t’i japim hise në Trepçë, Serbisë nëse vjen njohje tjetër. Njohjen e subjektivitetit tonë politik që edhe e GJND e ka pranuar si të drejtë, ne duhet ta paguajmë me desubjektivizim, sovranitet apo integritet territorial karshi Serbisë. Kjo rrugë nuk na qon askund. Duhet që marrëdhëniet me shtetet tjera t’i definojmë qartazi. Shumë mirë na ka njohur Izraeli. Kemi shprehur gatishmërinë ta njohim Izraelin. Nuk kemi dyshim në ekzistencën e atij shteti. Por këto janë raporte mes dy shteteve. Në zotimet e nënshkruara në këto letra ne koncesione i kemi bërë Serbisë. Çfarë koncesioni i bëri Serbia Kosovës? Karshi shtetit të Kosovës Serbia nuk ka bërë asnjë koncesion. Serbia nuk ka bërë asnjë hap pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve siç pretendonte se do të arrihej me shkuarjen e Qeverisë Hoti në Washington”, tha Sveçla.