Sveçla në takim me Drejtorin e Policisë

Sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti së bashku me drejtuesit më të lartë të policisë, priti në takim ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçla me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit Mehmeti, përmes një prezantimi të punës së Policisë së Kosovës e njoftoi ministrin me angazhimet, rezultatet dhe aktivitetet policore në zbatim të objektivave strategjike dhe angazhimet konkrete në fusha të veçanta, përfshirë angazhimet në zbatim të vendimeve për parandalim të pandemisë.

Pjesë e prezantimit ishin edhe projektet e planifikuara si “Plani vjetor i punës, “Plani për fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës 2021-2025”, “Plani Strategjik Zhvillimor 2021-2025”, “Strategjia e Integruar e Policimit të drejtuar nga Intelegjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021-2025”, “Projekti i vendosjes së kamerave në stacione policore dhe kamerave që pritet  në të ardhmen të vendosen tek zyrtarët policorë (kamerat e trupit)”.

Po ashtu u veçuan edhe projektet e vendosjes së GPS-ve në automjete, realizimi i projekteve mbi trajnimet shtesë në fusha të ndryshme si,  komunikimit, sjelljes dhe disiplinës, integritetit dhe përformancës, taktikave mbrojtëse dhe përdorimit të forcës, ricertifikimit të zyrtarëve policorë, përfshirë edhe sfidat me të cilat ballafaqohet PK-ja.

“Ministri i MPB-së, Sveçla, në fjalën e tij, falënderoi Policinë për rezultatet e arritura, për punën dhe angazhimet në drejtim të ofrimit të rendit dhe sigurisë publike në vend, përfshirë angazhimet dhe masat policore që po ndërmerren në parandalimin e përhapjes së pandemisë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, ku PK-ja së bashku me personelin mjekësor janë në vijë të parë të frontit, andaj përkujtojë zyrtarët policorë të rënë në kryerje të detyrës, përfshirë zyrtarët të cilët fatkeqësisht kanë humbur jetën nga pandemia ‘Covid-19’.

Ministri Sveçla siguroi Policinë e Kosovës se do ta përkrah dhe  do ta mbështesë në të gjitha format e mundshme, përfshirë përkrahjen në Ligjin për Pensionim të Parakohshëm, për Sigurimin Shëndetësor e çështje tjera që janë në interes të PK-së”, thuhet në njoftimin dërguar mediav.

Njëkohësisht kërkoi nga PK-ja që të ngritet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në punë, performanca dhe integriteti policor, transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia, rritja e bashkëpunimit me komunitetin si dhe  lufta ndaj krimit të organizuar dhe  korrupsionit.

Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, u zotua se do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimin dhe luftimin ndaj çdo forme të krimit dhe korrupsionit.  

Pas përfundimit të takimit ministri Sveçla me drejtorin e përgjithshëm Mehmeti, vizituan edhe Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit.