Surroi: Kurti e Rama s’do ta përmendnin referendumin nëse s’do ishin pyetur

Publicisti Veton Surroi ka folur mbi temën e referendumit dhe përgjigjes së dy kryeministrave, Edi Ramës e Albin Kurtit të cilët të dy u përgjigjen se në një referendum paqësor do të votonin pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Surroi tha se në listën e temave të cilat mbesin me relevancë, çështja e referendumit nuk do të jetojë shumë gjatë si temë dhe se edhe Rama edhe Kurti janë përgjigjur në pyetjen për referendum sepse u është shtruar pyetja.

“Njerëzit janë përgjigjur sepse u është shtruar pyetja, por nëse nuk do të ishte shtruar pyetja nuk do ta përmendnin si temë”, ka thënë Surroi në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se nëse çështja e referendumit do të ishte prioritet, qeveritë do të ishin ulur dhe do t’i përcaktonin afatet kohore për këtë temë.

“Po të ishte prioritet, qeveritë do të ishin ulur dhe do thoshin se brenda kësaj periudhe do ta organizojmë referendum dhe brenda kësaj kohe Kosova duhet ta kalojë Ligjin për Referendumin dhe duhet ta ndryshojë Kushtetutën”.

“Referendumi duhet të jap përgjigje për një pyetje dhe ajo pyetje duhet të ndërtohet mbi një strukturë të një projekti juridik kushtetues dhe ai projekt kushtetues duhet të jetë produkt i një konsultimi të qytetarëve, partive politike”, ka thënë Surroi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Surroi tha se kapaciteti për të gjeneruar pyetje që marrin vëmendje brenda ditës është i jashtëzakonshëm, duke aluduar kështu në pyetjen drejtuar dy kryeministrave për votën e tyre në referendum.

“Kapaciteti ynë për të gjeneruar pyetje që marrin vëmendje brenda ditës është i jashtëzakonshëm dhe kapaciteti ynë për tu përqendruar në tema të cilat bëhen transformative është shumë i vogël”, ka thënë ai.