Supremja vjet ka kryer 1.271 lëndë

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, të enjten është mbajtur kolegjiumi i parë për vitin 2019, me gjyqtarë të gjykatës, gjatë të cilit, është prezantuar Raporti Vjetor i Punës për vitin 2018 dhe është caktuar orari vjetor për vitin 2019-të, njofton kumtesa.

Peci ka prezantuar para gjyqtarëve statistikat lidhur me lëndët e përfunduara, duke sqaruar njëkohësisht se krahasuar me vitin paraprak, gjatë vitit 2018, ka pasur një rritje të lehtë të ardhjes së lëndëve në gjykatë. “Po ashtu, ka pasur një ngritje të efikasitetit, pasi gjatë vitit 2018 janë kryer 1.271 lëndë, ndërkaq janë trashëguar për vitin 2019 vetëm 100 sosh”.

Gjatë ditëve në vijim, dega penale dhe ajo civile e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, do të takohen ndaras për të diskutuar lidhur me kërkesat e pranuara nga kryetari për dhënie të mendimeve juridike, të cilat pritet të aprovohen në seancën e radhës.