Sulmohet Konsullata e Kosovës në Kopenhagë, vidhet flamuri

Objekti ku ndodhet Konsullata e Kosovës në Kopenhagë është sulmuar sot, me ç’rast është vjedhur flamuri i Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila e ka dënuar ashpër këtë sulm.

“Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Siç njofton MPJD’ja, bazuar në vëzhgimin e situatës nga Konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme per të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit.

Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një Notë Verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt”, thuhet në komunikatë.