Imazhi i Rusisë dhe i presidentit të saj, Vladimir Putin, ende mbetet negativ në 14 vende të botës. Një studim i Qendrës Kërkimore “Pew”, thekson se gjatë viteve të fundit imazhi i Rusisë dhe Putini ka shënuar rënie në shumë vende të botës.

E kjo sipas këtij instituti lidhet me veprimet e Putinit karshi vendeve fqinje dhe politikave agresive ndaj opozitës. Sipas këtij studimi, pothuajse përqindja më e madhe e të anketuarve, Putinin e shohin si një diktator, që i ka rrezikuar vendet me demokraci duke tentuar që përmes shërbimeve sekrete të ndërhyjë në zgjedhje. 66 për qind e të anketuarve në 14 ekonomitë e përparuara kanë mendim negativ për Rusinë dhe Putinin.

Qëndrimi më negativ ndaj Rusisë dhe Putinit është në Suedi, Danimarkë dhe Holandë. Të paktën tre të katërtat e të anketuarve në të gjitha këto vende kanë një mendim negativ. Dy të tretat ose më shumë thonë të njëjtën gjë në Spanjë, Britani, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga vendet e anketuara, Italia shquhet për pamjen relativisht optimiste të Rusisë. Siç shënojnë autorët e studimit, Moska i dha ndihmë mjekësore Italisë në fillim të pandemisë dhe rreth gjysma e banorëve të vendit kanë një qëndrim pozitiv ndaj Rusisë, i cili është vlerësimi më pozitiv nga italianët që nga sondazhi i parë i kryer në vitin 2007 . Për në vendet e tjera, rezultatet e Rusisë ose kanë mbetur të ulëta ose kanë rënë ndjeshëm që nga sondazhi i parë. Në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, pjesa e atyre që kanë një qëndrim pozitiv ndaj Rusisë ka rënë 20% që nga viti 2007.

Në Gjermani, Spanjë dhe Francë, kjo pjesë vazhdon të qëndrojë rreth një e treta e popullsisë. Në përgjithësi, qëndrimi negativ ndaj Rusisë shtrihet te Putini. Shumica e të anketuarve nuk i besojnë udhëheqësit rus. Jashtë Italisë, jo më shumë se një e treta e popullsisë në çdo vend të anketuar shpreh besim te Putini.

Besimi është veçanërisht i ulët në Spanjë, SHBA, Holandë, Suedi dhe Danimarkë. Vetëm në Australi, Gjermani dhe Itali, tre në dhjetë ose më shumë i besojnë Putinit. Vetë Putini në një konferencë për media që mbajti për fund-vit u zë ngushtë nga një 10 vjeçar, kur u pyet se pse shtetet tjera nuk e duan aq shumë Rusinë. Putin provoi të arsyetohej se marrëdhëniet midis popujve mbeten të qëndrueshme.

Raporti po ashtu thekson se Putini është figurë e padëshiruar tek shumë vende të Evropës shkaku i helmimit të opozitarit, Navalny. Të gjithë të anketuarit helmimin e Navalnyt e lidhin me figurën e Putinit dhe shërbimeve sekrete.