Përplasja

Stresi i kundërpërgjigjet Xhulit, e fton t’i marrë 30 mijë eurot e premtuara në BBVK – publikon edhe video të parave në tavolinë

Skena e “Big Brother VIP Kosova 1” duket të mos i ketë mjaftuar për të shuar debatet mes konkurrentëve, pasi reperi i njohur Stresi ka zgjedhur rrjetet sociale si arenën e re për të vazhduar polemikat.

Duke u ndalur në pyetjen “Kush duhej të fitonte BBVK, nëse jo ai?”, ai ka bërë komente për ish-konkurrentët e tij finaliste – Vedatin, Artanin dhe Xhulin – duke i kritikuar në mënyra të ndryshme.

Në një video të shpërndarë, Stresi shtoi më shumë benzinë në zjarrin e debatit, duke e quajtur Vedatin të paaftë për të fituar për shkak të të shkuarës së tij, Artanin si të panjohur për audiencën, dhe Xhulin për prezantimin e një historie të dyshimtë brenda shtëpisë.

Ky i fundit, nuk ka hezituar të reagojë mbi një premtim të pa mbajtur nga reperi – një shumë prej 30 mijë eurosh që Stresi ishte zotuar t’i jepte gjatë kohës së spektaklit.

Drama duket të mos njohë fund, pasi së fundmi, Stresi ka ndërmarrë një hap tjetër provokues. Në një video të re të publikuar në faqen e Prives në Instagram, reperi shfaqet duke numëruar një shumë parash, duke e sfiduar Xhulin, të cilën ai e quan me ironi “Xhylfidanen”, që të vijë dhe t’i marrë ato.