Asociacioni

Stano: Drafti për Asociacionin nuk është publik

Pas publikimit në disa media të Kosovës të një dokumenti që përmbante draftin e plotë të statutit të Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave Serbe, Bashkimi Europian ka mohuar se dokumenti është bërë publik.

Në një qëndrim dhënë për Euronews Albania, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se, “Sa i takon draft statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe, mund vetëm t’ju rikujtoj se është prezantuar një propozim europian i balancuar për krijimin e kësaj Bashkësie për palët e përfshira nga i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vitizës së tij në rajon në fund të tetorit, propozim që u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të udhëheqësve të Këshillit Europian muajin e kaluar.”

Miroslav Lajçak udhëhoqi një grup emisarësh perëndimorë në një vizitë në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor, duke i prezantuar Kosovës dhe Serbisë një draft statut për Bashkësinë. Megjithatë, përmbajtja e detajuar e këtij statuti nuk është bërë publike deri më tani.

Kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar dhe nënshkruar draft statutin për krijimin e Bashkësisë. Ndryshe, presidenti serb Vuçiç ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të pranojë asnjë dokument që përfshin njohjen de facto të Kosovës.

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Burim Ramadani, publikoi gjatë fundjavës atë që cilësoi një draft të plotë të Bashkimit Europian për Bashkësinë, në versionin origjinal dhe të përkthyer në shqip.

Ai u shpreh se drafti është i gjerë dhe thellë, ndërsa shtoi se “Kosova duhet të marrë diçka të madhe si parakusht për zbatimin e këtij dokumenti”.

Zëdhënësi Peter Stano, megjithatë, sqaroi se asnjë dokument i kësaj natyre nuk është bërë publik, duke cituar diskutimet në vijim.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike vijojnë. Në kurrë nuk kalojmë dokumente zyrtare që janë në diskutim e sipër dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët tanë, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të bëhet në konfidencialitet. Është politikë e hershme e jona për të mos komentuar në rrjedhje të supozuara apo raportime mediatike që thonë se kanë parë apo publikuar dokumentin.”

Si Kosova edhe Serbia janë të qarta se zbatimi i marrëveshjeve është kyç në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe u arrit fillimisht në 2013, ndërsa në 2015 palët u pajtuan për parimet e themelimit.

Por në 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli me përfundimin se marrëveshja nuk ishte në linjë me Kushtetutën e vendit.

Për pasojë, Prishtina ka refuzuar ta zbatojë marrëveshjen, duke cituar mospërputhjen kushtetuese. Në anën tjetër, Beogradi këmbëngul në themelimin e Bashkësisë sipas marrëveshjes origjinale të Brukselit, pa e korrigjuar për ta harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës, siç ka sugjeruar Gjykata Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia janë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve që prej vitit 2011, ndërsa palët kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh.

Megjithatë, jo të gjitha këto marrëveshje janë zbatuar deri më tani.