Sqarohet BE-ja: Nuk e përkrahim iniciativën e Veselit për Tribunal

Bashkimi Europian ka bërë me dije se nuk e mbështet iniciativën e Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krijimin e një Tribunali që do të procesonte rastet e krimeve serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës.

Zëdhënësja Maja Kocijancic ka thënë se Kosova mund t’i ndjek kryesit e krimeve të supozuara me legjislacionin që e ka në fuqi.

Pikërisht në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka debatuar rreth iniciativës së Kryeparlamentarit kadri Veseli për themelimin e një Tribunali që do të merrej me krimet serbe në Kosovë, ka ardhur edhe reagimi i Brukselit ku kanë theksuar se Bashkimi Evropian nuk është i involvuar në këtë iniciativë.

Zëdhënësja maja Kocijancic ka thënë në reagim se gjatë fundjavës ka pasur “keqkuptime në raportim” duke aluduar në disa lajme të publikuara në Kosovë se BE mbështet krijimin e Tribunallit.

“Pasi që kemi parë disa keqkuptime në raportim, na lejoni që menjëherë të qartësojmë se Bashkimi Europian nuk është I involvuar në inicitivën e fundit që ka dalë në Kuvendin e Kosovës për ta themeluar një Tribunal të ri” thuhet në përgjigjet e dërguara nga Maja Kocijancic, Zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së.

Ajo më pas ka theksuar se krimet serbe mund të ndiqen duke u bazuar në legjislacionin aktual që është në fuqi në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se korniza legale ekzistuese jep mundësi të duhura për hetim dhe ndjekie të krimeve të supozuara në Serbi dhe Kosovë duke u bazuar në jurisdiksionet respektive” thuhet më tej në përgjigje.

Kocijancic ka thënë se për këtë duhet më shumë fokus dhe përcaktim.

Kocijancic më të tej ka shtuar se BE konsideron se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunimi kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës.

“Ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima dhe familjet e tyre në kërkim të drejtësisë dhe njohjes së vuajtjeve të tyre. Të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret dhe të vërtetë”, ka shtuar ajo për Gazetën Express.

“Udhëheqësit politikë në rajon duhet të kontribuojnë në stabilitet, pajtim dhe një klimë të favorshme për adresimin e çështjeve të hapura bilateral dhe trashëgiminë e së kaluarës. Kjo po ashtu përfshin shmangien dhe dënimin e çfarëdo deklarate apo veprimi që do të nxiste tensionet ndëretnike”, ka përfunduar zëdhënësja.