Speca, domate e patate, ministria e Pecit “bahçe” e shkeljeve

Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci ka bërë shkelje të shumta gjatë vitit të kaluar. Auditori ka treguar se ky institucion nuk i ka menaxhuar mirë parat e shtetit për t’i ndihmuar bujqit.

Ministri Faton Peci ka dështuar në shumë fusha, që të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë vitit të kaluar.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka treguar se në vitin 2021, në këtë institucion nuk janë kryer shumë punë, shkruan Demokracia.com.

Këtij institucioni i kanë mbetur edhe miliona euro borxhe të papaguara ndaj bujqve dhe fermerëve.

“Përkundër rekomandimit të vitit të kaluar, ministria deri në fund të vitit nuk kishte arritur që t’i paguajë të gjithë fermerët dhe si pasojë vlera e obligimeve të papaguara ndaj fermerëve ishte 3,037,679€. Prej tyre për pagesa direkte (biznese) ishte 724,679€ dhe për përfitues individual ishte 2,313,000€ (vlerë kjo variabile për shkak se aplikacionet ishin në proces të kontrolles administrative dhe terren). Mbetja e obligimeve te pagesat direkte ka rrjedhë për shkak të aprovimit të vonshëm të programit. Ky fakt ka reflektuar vonesë tek të gjithë hapat e subvencionimit, që nga kontrolli administrativ, vlerësimi i aplikacioneve, procedura të kontrollit në terren deri te finalizimi i pagesës duke marrë parasysh se aplikimi i fermerëve është bërë në muajin shtator me zgjatje të afatit deri më 5 tetor 2021”, thuhet në raportin e auditimit, përcjell Demokracia.com.

Auditori ka treguar se disa borxhe kanë nisur të paguhen gjatë këtij viti, por jo gjatë vitit 2021.

“Sidoqoftë, ministria për vitin pasues ka bërë planifikimin buxhetor për të shlyer obligimet e mbetura dhe e njëjta shumë është aprovuar në buxhetin e vitit 2022 për subvencione dhe transfere. Deri në  kohën sa ne ishim në auditim ishin shlyer obligime nga 2021 prej 3,228,630€”, thuhet në raportin e auditimit për MPBZHR-në.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka vërejtur se gabime të mëdha në Ministrinë e Bujqësisë janë bërë edhe te pasqyrat financiare në disa raste.

“Në Pasqyrat Vjetore Financiare janë identifikuar gabime materiale në shpalosjen e informatave financiare që kanë të bëjnë me: mbivlerësim të saldos së obligimeve të papaguara për 2,313,000€, nënvlerësim i pasurive jokapitale (nën 1,000€) për 75,511€, nënvlerësim i saldos së detyrimeve kontigjente për 454,473€, mbivlerësim të saldos së të hyrave vetanake për bartje për 1,224€”, raporton Demokracia.com.

Ministria e Bujqësisë, sipas ZKA-së, nuk e kishte regjistruar projektin “Konsolidimi dhe invertarizimi i tokave bujqësore në Republikën e Kosovës”, në vlerë prej 1,337,900€ në regjistrin kontabël të pasurive dhe për këtë vlerë është nënvlerësuar regjistri i pasurisë.

“Ky projekt ishte realizuar gjatë periudhës 2017-2021. Po ashtu, disa nga pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës ende nuk kontrollohen dhe shfrytëzohen nga IBK. Ministria kishte kryer pagesë në vlerë prej 103,710€ në kategori ekonomike jo adekuate si rezultat i planifikimit jo të duhur të buxhetit për projektin “Konsolidimi dhe invertarizimi i tokave bujqësore në Republikën e Kosovës”.

Ministria kishte bërë kontrolle Ex-Post për monitorimin e implementimit të projekteve të zhvillimit të bujqësisë, mirëpo deri në përfundimin e vitit 2021 nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete për kthimin e mjeteve nga përfituesit.

“Në tri mostra të testuara me vlerë totale prej 170,883€ kemi vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Vonesat variojnë nga 57 deri në 96 ditë. Po ashtu, edhe në tri pagesa për subvencionet e dhëna përmes Programit për Zhvillimin e Bujqësisë (grantet) në vlerë totale prej 175,704€ nuk ishin respektuar afatet e përcaktuara për pagesë sipas udhëzuesit. Vonesat variojnë nga 60 deri në 79 ditë”.

Parregullsi janë vërejtur edhe në përllogaritjen e vlerës për kompensimin e dëmeve për fermerët.

“Me vendim të Qeverisë nr. 20/19 (dt.14.07.2021) janë ndarë mjetet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në bujqësi për vitin 2020 në shumën e dëmeve prej 30%. Ministria kishte bërë zbatimin e këtij vendimi duke paguar fermerët në bazë të listave të dërguara tek Komisioni i Ministrisë, i cili kishte mandat pranimin, verifikimin dhe shqyrtimin e Raporteve të vlerësuara nga Komisionet komunale të dëmeve. Nga 20 mostra të audituara, në 6 prej tyre që i përkisnin Komunës së Istogut kemi vërejtur parregullsi në përllogaritjen e vlerës për kompensim, ku fermerët ishin paguar më tepër në vlerë totale prej 6,655€”, ka treguar auditori, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, është vërejtur që në disa raste ishte rritur vlera totale e kompensimit, ndërsa në disa të tjera ishte rritur rendimenti i dëmtuar, i cili ka ndikuar që vlera totale e kompensimit të rritej si p.sh. (Rendimenti i dëmtuar 638.4 x Çmimi 0.51 = Vlera totale 3,255€, ndërsa llogaritja e saktë e vlerës totale është 325€).

“Pasi që nuk kishte kritere të vendosura ligjore, çmimet e kulturës bujqësore dhe rendimentit janë kalkuluar bazuar në Raportin e Gjelbër , ndërsa sipërfaqja ishte kalkuluar në bazë të ekzaminimit nga Komisioni komunal në mungesë të fletave poseduese”.

Në këtë raport janë treguar edhe disa raste kur përfituesit i kanë kthyer parat që kanë marrë nga ministria.

“Gjatë kohës sa ne ishim në auditim, pesë përfitues kishin bërë kthimin e mjeteve në buxhetin e ministrisë në vlerë prej 3,496€”.

Kurse, në një rast në mungesë të çmimeve referente, Komisioni kishte miratuar projektet sipas kërkesave të aplikuesve.

“Përveç kësaj, në dy raste kemi hasur se për dy produkte të njëjta (panela solare 25 kw) janë miratuar çmime të ndryshme, njëri në vlerë prej 30,000€ dhe tjetri prej 33,000€. Mungesa e çmimeve për disa pajisje në çmimoren e miratimit të projekteve ka ndodhur si pasojë e mos hulumtimit të mjaftueshëm të tregut nga ana e komisionit, kërkesave të larmishme të aplikuesve dhe situatës pandemike”.

Një parregullsi e madhe është vërejtur edhe tek skadimi i periudhës së garancionit bankar tek grantet, shkruan Demokracia.com.

“Neni 6 dhe neni 13 pika 7.5 të UA nr. 02/2020 për Masat dhe kriteret e përkrahjes për zhvillimin rural për masat 101 dhe 103 theksojnë se “Garancioni bankar duhet të sigurohet vetëm për paradhënien prej 50 % të përkrahjes publike, përkatësisht deri në vendimin përfundimtar për pagesë/pranim të pagesës ose refuzim të pagesës”.

Gjatë auditimit të granteve në katër raste janë identifikuar se garancioni bankar në vlerë totale prej 237,250€ i ofruar nga përfituesit për mbulimin e periudhës garantuese të granteve, i cili verifikon përfundimin e investimeve sipas marrëveshjes, konkretisht para marrjes së vendimit përfundimtar për  pranim të pagesës, kishte skaduar para periudhës kur realizohen kontrollet në terren dhe AZHB nuk kishte kërkuar zgjatjen e afatit të garancionit.

Sipas ministrisë, kjo ka ndodhur për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme dhe volumit të madh të punëve në Drejtorinë e Autorizimit dhe të Kontrollit, ku si pasojë nuk ishte e mundur përcjellja e skadimit të garancioneve bankare.