COVID-19

Sot testohen 33 personat në Qendrën e Studentëve

Sot pritet të bëhet testimi i mostrave të 33 personave, të cilët janë vendosur para 14 ditësh në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.

Lajmi është bërë i ditur dje nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

“Gjatë ditës së diel, pritet të testohen 33 persona të cilët në QS janë karantinuar më 21 mars 2020”, thuhet në postim.

Ministria ka bërë me dije se ashtu si janë vendosur në karantinë, do të bëhet edhe testimi dhe nxjerrja nga karantina, e atyre që rezultojnë negative në testimet për koronavirus.

“MSh u bën thirrje personave që lëshohen në shtëpi, që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat e vetizolimit shtëpiak, duke mbrojtur veten dhe të afërmit përreth., derisa të karantinuarve u bën thirrje për më shumë mirëkuptim deri në testimin dhe lirimin e tyre nga karantina”, thuhet në njoftimin e MSH’së.

Sot nga kjo qendër janë liruar 95 persona, të cilët kanë qëndruar aty për 14 ditë. Ata do të vazhdojnë vetëizolimin në shtëpitë e tyre.

Deri tash në Kosovë janë prekur 140 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 23 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Ëuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore..