Barbie

Sot shënohet ditëlindja e gjashtëdhjetë e kukullave “Barbie”

Lodrat e njohura për fëmijë, kukullat “Barbie”, sot mbushin 60 vjet nga dalja e parë në treg. Për nder të këtij përvjetori, prodhuesi i tyre do ta publikojë një koleksion të ri të këtyre kukullave.
Kukullat “Barbie” janë prezantuar për herë të parë në Panairin e Lodrave në Nju Jork më 9 mars të vitit 1959.

Për ta shënuar këtë përvjetor, kompania “Mattel Inc” ka krijuar kukulla me figurat e 20 grave të suksesshme, përfshirë yllin japonez të tenisit, Naomi Osaka dhe aktivisten dhe modelen britanike, Adwoa Aboah.

Përpos këtyre figurave, kompania i ka prezantuar edhe kukullat që paraqesin profesionet e astronautes, pilotes, atletes, gazetares, politikanes dhe zjarrfikëses. Këto profesione janë përzgjedhur qëllimisht për shkak se gratë nuk janë të përfaqësuara aq sa duhet në këto fusha.

Prodhuesi i këtyre kukullave deri tash ka përfshirë figurat e më shumë se 200 profesioneve, prej kirurges deri te krijuesja e lojërave kompjuterike. Sidoqoftë, kompania është kritikuar për paraqitje joreale të trupit të femrave, shkruan “Reuters”.