Sot rikthehen emocionet e Superligës

Superliga e Kosovës rikthehet me javën e 4-të të kampionatit që vjen këtë të premte me dy sfida shumë interesante.

Gjithçka nis me takimin e orës 16:00 mes Ballkanit dhe Trepça ’89. Këto dy skuadra e kanë nisur shumë mirë sezonin dhe janë të vetmet ekipe që nuk njohin humbje në këto 3 javë të para. Trepça ’89 me pak fat mund të ishte në vend të parë por një gol në minutën e 92-të në ndeshjen e javës së 3-të ndaj Drenicës i hoqi mundësinë skuadrës mitrovicase për të kryesuar e vetme kampionatin.

Ballkani në krahun tjetër në këto tre javë të para ka bërë paraqitje të shkëlqyera pasi përveçse ka mposhtur kampionët në fuqi të Feronikelit ka ndalur edhe Llapin në udhëtim në një barazim pa gola. Këto rezultate u japin besim vendasve për të bërë mirë edhe sot.

Megjithatë vëmendja më e madhe do të jetë në mbrëmje te takimi mes dy skuadrave që synojnë titullin dhe që sezonin e kaluar ishin rivalët më të fortë të Feronikelit në garën për kurorën e kampiones. Prishtina pret Llapin në stadiumin “Fadil Vokrri” në një ndeshje ku me kryeqytetasit do të debutojë trajneri i ri Bylbyl Sokoli i cili mori vendin e të shkarkuarit Mirel Josa.

Prishtina synon me çdo kusht fitoren e parë në këtë sezon ndërkohë që Llapi do të kërkojë të përmirësojë bilancin i cili nuk ka qenë shumë pozitiv pas 3 ndeshjeve të para ku ka grumbulluar 4 pikë. Ky takim do të startojë në orën 19:00.

loading…