Sokol Dobruna kalon në partinë e Albin Kurtit

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së sot ka aderuar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se Sokol Dobruna është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.

Postimi i plotë:

Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërpresë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, për shkak se familja e tij konsiderohej politikisht e papërshtatshme në ish Jugosllavi. Baca Sokol është ish-i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyrën e saj në Prishtinë.

Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.