S’ndalet Petrit Selimi, befason sërish: I kërkon ambasadorit gjerman t’i kërkoj falje atij!

Petrit Selimi, po vazhdon replikat e tij në Twitter, ndaj ambasadorit gjerman Christian Held, i cili e ka demantuar Selimin, në lidhje me lejet e punës që Gjermania thuhet t’i ketë rritur për Ballkanin.

Pas shkrimit të Gazetës Insajderi, kanë nisur shakatë e shumta duke iu drejtuar Selimit, se ia ka huq me një shkrim në Twitter, në të cilin Selimi, e ka cituar një shkrim të AJBallkans.

“Nëse Heldt mendon se AJBallkans po gënjen, ai mund të reagoj ndaj tyre, e jo të më kthejë mua një përgjigje fyese dhe cinike të padenjë për një diplomat. Isha i qartë në citimin e një burimi të tretë. Pres kërkim falje”, i ka replikuar Selimi në twitter ambasadorit Heldt.

Krejt kjo ka nisur kur sot gjatë ditës, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi duke e cituar një shkrim të  Al Jazeer-së, në Twitter bëri një përmbledhje të atij shkrimi ku tregon se Gjermania do të rrisë edhe më shumë numrin e leje të punës për Ballkanin.

“Gjermania do të rrisë edhe më shumë numrin e lejeve të punës për Ballkanin. 56% e kompanive gjermane ankohen për mungesë të stafit. 100,000 banorë që largohen nga Ballkani Perëndimor çdo vit”, ka shkruar fillimisht Selimi.

Mirëpo, këtë gjë duket se nuk e ka ditur ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Ai i ka bërë retweet Selimit, duke i thënë se është mirë të mësojë gjëra të reja për vendin e tij, ndërsa ka vazhduar t’i thotë se sigurisht, Selimi, ka burime më të forta se vetë ambasadori për vendin e tij.

“Kënaqësi të mësosh më shumë për vendin tim, unë nuk e kam këtë informacion. Por sigurisht keni burime më të forta se unë në vendin tim”, i ka shkruar si me shaka ambasadori Heldt, Petrit Selimit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ministrit Selimi, duke i thënë ambasadorit që është bazuar në shkrimin e AJ.

Pas kësaj, shakatë nuk kanë munguar nga qytetarët e Kosovës që përveç në Twitter, kanë shkruar edhe në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale, duke u tallur me Selimin.