Skandaloze: Bëhet virale në ‘TikTok’ kënga shqipe ku kërcënohet gruaja e vajza për rrahje e vrasje

Në javën kur në Kosovë i ulet dënimi burrit që vrau gruan dhe vajzën, dikush përmes këngës kërcënon me rrahje e vrasjeTashmë kanë filluar kampanjat për të fshirë videon nga Youtube.

“Kam me të rreh moj çikë me grushta” ka titullin një video me një tekst skandaloz që po këndohet e po shpërndahet nëpër rrjete sociale.

Ndër vendet kryesore ku kjo e ashtuquajtur ‘këngë’ po përdoret duke u kënduar për të bërë video të ndryshme është edhe platforma ‘TikTok’, ku shumica e përdoruesve janë fëmijët.

Me muzikën e huazur nga kënga e famshme e reperit amerikan 50 Cent, i riu shqiptar ia ka bashkangjitur një tekst me fjali nga më skandalozet.

Ai kërcënon një vajzë, duke thënë se ‘do ta rrahë me grushta’ për shkak të xhelozisë nëse ajo do të veshë pantallona të ngushtë.

Kjo vjen në javën kur në Kosovë po ngritet zëri kundër dhunës ndaj gruas, ku gjatë vitit 2020 rastet janë rritur shumë dhe shumica po përfundojnë me fatalitet.

E në videot që po postojnë në ‘TikTok’ të rinjtë shihen duke kënduar e vallëzuar me krenari me këto fjalë.

I riu që ka bërë këtë ‘këngë’ i ka mbledhur këto video, me anë të cilit e ka bërë edhe ‘videoklipin’ dhe e ka postuar në Youtube.

Pikërisht këtë video e cila ka arritur të marrë mbi 300 mijë klikime që kur është postuar më 20 gusht, shumë përdorues të rrjeteve sociale janë duke e shpërndarë, jo për ta promovuar, por për të inkurajuar njerëzit që t’i bëjnë ‘report’, në mënyrë që videoja të fshihet nga aty.

Më poshtë keni videon skandaloze për të cilën ka filluar fushata për t’a fshirë duke e raportuar.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=37&v=mSeYPopKKCg&feature=emb_logo