S’jam kundër bashkimit të Luginës, copëtimi i Kosovës do të ishte shkelje e gjakut të dëshmorëve

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se sot ka përfunduar ceremonia shtetërore ku janë rivarrosur 157 dëshmorët e zonës së Drenicës.

Jashari në Interaktiv të KTV-së tha se ka qenë një emocion i veçantë, por mbi të gjitha krenari që sot përfundimisht ata janë bashkë. Në këtë kompleks tash e tutje do të pushojnë edhe eshtrat e tre heronjve Ilaz Kodrës, Mujë Krasniqit dhe Abedin Rexhës.

Ai tha se me të marrë detyrën, i ka vënë vetes kusht. “Kam thënë Bekim, o ki me i vendos ata nga Polaci në Marinë ose s’do jesh kryetar”, tha ai.

“Kam qenë atje as emrat s’mund të lexoheshin. Si fëmijë i dëshmorit, e mora këtë barrë përsipër”, tha Jashari duke falënderuar kryeministrin Ramush Haradinaj e Ministrinë e FSK-së, për ndihmën që kanë dhënë.

Jashari sot nuk falënderoi as presidentin Hashim Thaçi e as kryekuvendarin Kadri Veseli.

“Jo që s’dua t’i falënderoj, por ata s’kanë pasur punë të ndërhyjnë. Ekzekutivi e ka pas punë”, tha Jashari. E ka quajtur punë të mirë që Thaçi i ka shpallur disa heronj të Kosovës sot.

“Por puna që kemi arritur ka qenë iniciativë e imja, po e them pa modesti”, tha ai.

Nuk është përgjigjur në pyetjen se a do ta mirëpriste Hashim Thaçin në kompleksin “Adem Jashari”, atje ku Thaçi s’ka qenë që disa vite.

Ka thënë “Janë të mirëseardhur kushdo”.

Jashari tutje ka folur edhe për idenë për shkëmbim territoresh. Tha se kufijtë e Kosovës, janë vulosur me gjakun e dëshmorëve. “Nuk jam kundër bashkimit të Preshevës, por ta caktojnë vendin tonë, të japin tokën tonë, do të ishte shkelje e gjakut të dëshmorëve”, tha ai.

Ai tha se partitë politike duhet të bëhen bashkë kur janë tema të rëndësishme për vendin, si dialogu i Kosovës me Serbinë në këtë rast. “Përpos kësaj, edhe gjatë fushatës e pas fushatës, kam kërkuar që shqiptarët të bëhen bashkë”, tha Jashari.

“Liderët duhet t’i thërrasin mendjes e të ulen bashkë të bisedojnë”, tha ai.