Pas zhvillimeve të fundit rreth konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj ish-ushtarëve të UÇK’së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur mbledhje të kryesisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe ai i Infrastrukturës Arban Abrashi, janë parë në zyrat e partisë në lagjen “Qafa” në Prishtinë.

Para mbledhjes ata nuk janë deklaruar për media, derisa kanë thënë se këtë do ta bëjnë pas takimit.

Ndryshe, Gjykata Speciale ka  konfirmuar aktakuzën ndaj Presidentit Hashim Thaçi, i cili sot dha dorëheqje nga ky post.

Në vend të Thaçit, ushtruese e detyrës së Presidentes është Vjosa Osmani, e cila tashmë ka pranuar detyrën.

Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj Kadri Veselit, i cili deri më sot ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe Veseli sot deklaroi se do të tërhiqet nga të gjitha pozitat politike, deri në përfundim të proceseve në Hagë.