Vetura, në të cilën gjendeshin 4 viktimat e aksidentit që ndodhi javë më parë në magjistralen Prishtinë-Gjilan, rezulton të jetë fajtore në bazë të ekspertizës.
Kështu kanë konstatuar ekspertët e komunikacionit me kërkesë të Prokurorit të çështjes Blerim Ignishta, ka treguar avokati Afrim Salihu për KTV.
Por, këtë ekspertizë, që mban datën 23.11.2018, po e kundërshtojnë familjarët e viktimave, të cilët do të parashtrojnë ankesë.
Të indinjuar nga institucionet e vendit, ata thonë se edhe nuk iu lejua hyrja në QKUK për t’i parë familjarët e tyre, tashmë viktima.
Viktimat e aksidentit ishin Agron Shala, 25-vjeçar, Osman Shala, 65-vjeçar dhe Arife Shala, 88-vjeçare nga fshati Ponesh dhe Elfete Rashiti 65-vjecare nga Gjilani.
Në aksidentin, i cili ndodhi në magjistralen Prishtinë-Gjilan, ishte e përfshirë edhe ambasadorja turke, Kivilcim Kilic.







