Sipas Ancelottit, Mbappe dhe Neymar janë pasuesit e Messit dhe Ronaldos

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti beson se dyshja e Paris Saint Germanin, Kylian Mbappe dhe Neymar do të jenë futbollistët me vëmendjen më të madhe pas Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Napoli pret të martën PSG-në në “San Paolo”, dhe sipas Ancelottit skuadra e tij do të ketë përballë trashëguesit e Messit dhe Ronaldos.

Ancelotti që ka drejtuar PSG-në për 1 vit e gjysmë është i vetëdijshëm për kërcënimin që paraqet klubi francez në aspektin individual, sidomos nga Mbappe dhe Neymar.

“Mbappe është një kandidat që e meriton të rivalizojë me kampionët si Messi dhe Ronaldo që kanë fituar gjithçka gjatë karrierës së tyre. Mendoj se Mbappe dhe Neymar mund të jenë pasuesit e tyre. Nëse Mbappe nuk e fiton këtë vit Topin e Artë, do ta fitojë në vitet e ardhshme pa asnjë problem. Të gjitha klubet ëndërrojnë ta kenë atë në skuadër”, deklaroi Ancelotti.

Napoli ndodhet në pozitën e dytë të grupit C me 5 pikë të grumbulluara ndërsa parisienët rradhiten një pozitë më poshtë me 4 pikë.